Konsumimi i ushqimit të shpejtë dhe produkteve shumë të përpunuara mund të ndikojë negativisht në shëndetin e fëmijëve, duke rritur rrezikun për mbipeshë dhe probleme të tjera shëndetësore që mund të shfaqen që në moshë të hershme, përfshirë diabetin, tensionin e lartë të gjakut dhe kolesterolin e lartë.
Për t’i ndihmuar fëmijët të krijojnë zakone më të shëndetshme të të ushqyerit, dietologët dhe psikologët këshillojnë disa mënyra që prindërit mund t’i zbatojnë në përditshmëri, raporton India.com.
- Prindërit të jenë shembull i të ushqyerit shëndetshëm
Gjithçka fillon në shtëpi dhe me zakonet që kanë prindërit. Për këtë arsye, këshillohet që ata të zgjedhin ushqime me vlera të mira ushqyese dhe t’i përgatisin ato në shtëpi.
Po ashtu, prindërit duhet t’ua shpjegojnë fëmijëve përfitimet që sjell ushqimi i shëndetshëm, në mënyrë që ata të kuptojnë rëndësinë e zgjedhjeve të duhura ushqimore.
- T’ua kufizojnë qasjen në ushqimin e shpejtë
Një mënyrë tjetër për të shmangur konsumimin e tepërt të ushqimit të shpejtë është kufizimi i ekspozimit ndaj tij. Psikologët këshillojnë që prindërit të shmangin sa të jetë e mundur frekuentimin e vendeve ku përgatitet ky lloj ushqimi.
Gjithashtu, në shtëpi duhet të kufizohet blerja e produkteve të pashëndetshme që fëmijët mund t’i marrin lehtësisht nga dollapët ose frigoriferi. Në mesin e tyre përfshihen pijet me sheqer të shtuar, biskotat e paketuara, bonbonet dhe lëpirëset.
- Ta bëjnë kohën e vakteve më argëtuese
Mëngjesi, dreka dhe darka duhet të jenë vakte që ngjallin interesin e fëmijëve. Për ta arritur këtë, prindërit mund t’i përfshijnë ata në përzgjedhjen e ushqimeve, qoftë te pemëshitësi apo gjatë blerjeve në dyqane.
Në këtë mënyrë, fëmijët mund të mësojnë më shumë për rëndësinë e përbërësve të shëndetshëm dhe të bëhen më të interesuar për ushqimet që përgatisin së bashku me prindërit.
- T’i nxisin të merren me aktivitete fizike
Përfshirja në aktivitete të ndryshme fizike është një tjetër mënyrë për të nxitur një stil të shëndetshëm jetese te fëmijët. Përveç sporteve, aktivitete të dobishme mund të jenë edhe ecja në mal dhe çiklizmi.
Aktiviteti fizik ndihmon në shpenzimin e energjisë së tepërt dhe, njëkohësisht, krijon zakone që mund t’i shoqërojnë fëmijët edhe në të ardhmen.
- T’ua kufizojnë kohën para pajisjeve elektronike
Qëndrimi për një kohë të gjatë ulur para pajisjeve elektronike dhe përdorimi i tyre gjatë vakteve mund të ndikojnë negativisht në zakonet e të ushqyerit të fëmijëve.
Sipas këshillave të përmendura, kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët mbi pesë vjeç, të cilët janë më të vetëdijshëm dhe mund t’i kuptojnë më lehtë shpjegimet e thjeshta rreth ushqyerjes së shëndetshme.
Kur shikojnë video në pajisjet elektronike gjatë ngrënies, fëmijët mund të mos përqendrohen te ushqimi dhe të konsumojnë më shumë produkte të pashëndetshme.
Për këtë arsye, prindërit këshillohen të krijojnë një ambient të qetë gjatë vakteve, ku fëmijët mund të përqendrohen te ushqimi dhe të zhvillojnë zakone më të mira të të ngrënit.