Emiri i Katarit uron presidenten Shiroka Pula: T’i forcojmë më shumë marrëdhëniet
Boksierët britanikë Tyson Fury dhe Anthony Joshua pritet të hyjnë në ring në orën 01:00 të mëngjesit për duelin e tyre të madh të boksit në peshat e rënda, sfidë që do të zhvillohet në Cardiff.
Stadiumi “Principality” do të presë ndeshjen më të madhe në historinë e boksit britanik, e cila është planifikuar të zhvillohet të premten, më 11 dhjetor. Tashmë është zbuluar orari i parashikuar për këtë përballje: Në orët e para të së shtunës.
Një kërkesë drejtuar këshillit të Cardiff konfirmon se hyrja e boksierëve në ring planifikohet të nisë rreth orës 01:00, pas një shfaqjeje të shkurtër muzikore “live”, ndërsa stadiumi do të qëndrojë i hapur deri në orën 03:30.
Këto orare do t’u përshtateshin orëve me shikueshmëri maksimale në Shtetet e Bashkuara. Në përpjekje për të marrë lejet e nevojshme, kompania “Millennium Stadium plc” i ka kërkuar këshillit zgjatjen e orarit të funksionimit të stadiumit “për një rast të vetëm dhe shumë të kufizuar“.
Kërkesa synon zgjatjen e orarit të lejuar për eventet e boksit dhe mundjes nga ora 01:00 (që është kufiri aktual) deri në orën 03:00 të datës 12 dhjetor. Një zëdhënës i këshillit deklaroi: “Kjo bëhet për të mundësuar zhvillimin e ndeshjes së propozuar mes Anthony Joshua dhe Tyson Fury, ku hyrja në ring do të nisë në orën 01:00.”
Ndryshimi i licencës kërkon gjithashtu zgjatje të orarit për muzikën “live” në të njëjtën datë, për të mundësuar një shfaqje të shkurtër muzikore menjëherë para hyrjes së boksierëve në ring.
Gjithashtu, propozohet zgjatja e orarit për muzikën e regjistruar, shërbimin e ushqimit dhe pijeve gjatë natës, si dhe shitjen e alkoolit deri në orën 03:00, ndërsa ora e mbylljes së stadiumit do të shtyhet në 03:30.
Aplikuesit shtuan se çatia e stadiumit do të qëndrojë e mbyllur gjatë gjithë eventit dhe do të merren masa të shtuara sigurie dhe organizimi. Nëse nuk paraqiten pretendime apo vërejtje përkatëse, këshilli duhet ta miratojë kërkesën.
Pas njoftimit të ndeshjes muajin e kaluar, kreu i Këshillit të Cardiff, Chris Weaver, deklaroi: “Ndeshja në ‘Principality Stadium’ ka potencialin t’i sjellë qytetit përfitime të konsiderueshme ekonomike dhe të tërheqë vizitorë nga mbarë Mbretëria e Bashkuar e më gjerë”.
Kujtojmë se bosi i boksit nga Arabia Saudite, Turki Alalshikh, partneri i tij amerikan i biznesit, Dana White, dhe transmetuesi Netflix, fillimisht kishin insistuar që vendi i zhvillimit të ishte “Madison Square Garden” në Nju Jork. /Telesport.al/