Hamza e refuzon ofertën e dytë të Kurtit për presidentin dhe Specialen
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se së shpejti do të flasë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në lidhje me vdekjen e një punëtori 28-vjeçar në një laborator kërkimor për murtajën në Siberi, gjë që ka ngjallur shqetësim të gjerë pasi shkaqet e sakta të vdekjes janë ende nën hetim.
“Aktualisht po zhvillojmë diskutime shumë të gjera”, tha Trump, duke shtuar se do të jetë në gjendje të japë informacion mbi bisedimet e tij me Putinin “ndoshta” të enjten.
Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk ishte planifikuar asnjë bisedë telefonike dhe se informimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) nga Rusia u krye në përputhje me praktikat e përcaktuara . Ai madje akuzoi median për përhapjen e “informacioneve të rreme”.
SHBA-të i kanë dërguar një mesazh zyrtar diplomatik Rusisë, duke kërkuar informacione shtesë në lidhje me incidentin. Megjithatë, Peskov u tha gazetarëve se nuk ishte në dijeni të ndonjë kërkese të tillë. Ndërkohë, zyrtarët rusë thonë se po hetojnë shkakun e vdekjes së 28-vjeçarit , duke thënë se të gjithë ata që kanë rënë në kontakt me viktimën kanë rezultuar negativë në testet e nevojshme, ndërsa nuk kanë konfirmuar se “sëmundja e dyshuar” nga e cila vdiq punonjësi është murtaja pneumonike.
Më parë, kreu i OBSH-së bëri thirrje për transparencë nga Rusia. “Ndarja në kohë, e plotë dhe transparente e informacionit, brenda kuadrit të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit, është thelbësore për të sqaruar raportet kontradiktore dhe për të vlerësuar me saktësi rreziqet e mundshme të shëndetit publik”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Raportet e para për rreth 200 persona që janë vendosur nën vëzhgim mjekësor në rajonin Irkutsk të Siberisë pas vdekjes së gruas u bënë të premten. Punonjësja e laboratorit, e identifikuar në mediat ruse si Daria Shipilova, thuhet se ishte sëmurë disa ditë më parë.
Raportime të pakonfirmuara thanë se gruaja u sëmur pasi theu një epruvetë që përmbante patogjenin në Institutin e Kontrollit të Murtajës në Siberi dhe Lindjen e Largët, ku ajo punonte, ose pas një misioni në terren në një zonë ku murtaja është endemike tek brejtësit e egër.
Megjithatë, zyrtarët rusë i minimizuan këto raportime. Rregullatori rus i shëndetësisë, Rospotrebnadzor, tha se gruaja vdiq nga “pneumonia me etiologji të panjohur”.
Spekulimet e vazhdueshme rreth vdekjes së punëtorit të laboratorit kanë shkaktuar reagime të ashpra midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara , me pyetje të ngritura rreth një përhapjeje të mundshme përtej kufijve rusë. Në veçanti, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se SHBA-të kishin “masa” në vend për të ndihmuar Rusinë nëse situata do të rezultonte më serioze.