Themelet e sigurisë kombëtare gjermane në rrezik?

Ish-kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), August Hanning, është arrestuar nën dyshimet për spiunazh, tradhti dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore.

Arrestimi i 80-vjeçarit është bërë të martën në qarkun Bad Tölz-Wolfratshausen në Bavari, me urdhër të gjykatës federale, ka njoftuar Prokuroria Federale gjermane.

Bashkë me të është arrestuar edhe ish-shefi i kabinetit të tij, i identifikuar si Manfred D., i cili dyshohet për bashkëpunim në veprat penale. Ai është arrestuar në qarkun Steinfurt në Nordrhein-Westfalen.

Sipas Prokurorisë Federale, Hanning dyshohet për spiunazh në dëm të Gjermanisë, zbulim të sekreteve shtetërore, tentativë për tradhti dhe veprimtari si agjent i një shërbimi sekret. Ndaj Manfred D. rëndojnë dyshime për ndihmë në tentativë për tradhti dhe spiunazh.

Hetuesit dyshojnë se Hanning dhe Manfred D. kishin arritur marrëveshje që nga viti 2010. Sipas akuzave, ish-bashkëpunëtori i tij i ka siguruar Hanningut në mënyrë të vazhdueshme informacione të vlefshme nga BND-ja, në këmbim të pagesave.

Sipas hetimeve, gjatë viteve Hanning ka marrë rreth 2 mijë dokumente, shumë prej të cilave përmbanin informacione të klasifikuara dhe ishin të destinuara vetëm për përdorim të brendshëm nga BND-ja.

Autoritetet dyshojnë gjithashtu se Hanning, në të paktën një rast, ka përdorur informacione të klasifikuara për të përgatitur një analizë për një shërbim të huaj inteligjence. Prokuroria nuk ka bërë të ditur se për cilin shtet bëhet fjalë dhe nëse informacioni ka përfunduar te pala e huaj.

Hanning drejtoi BND-në nga dhjetori i vitit 1998 deri në nëntor të vitit 2005. Më pas, ai shërbeu si sekretar shteti në Ministrinë Federale të Brendshme deri në vitin 2009.

Hetimi ndaj tij nisi pas informacioneve të zbuluara gjatë një procedure tjetër hetimore. Në maj të vitit 2026, Prokuroria Federale mori përsipër hetimet, në bashkëpunim me BND-në dhe Policinë Federale Kriminale.

Hanning dhe Manfred D. pritet të dalin para gjyqtarit hetues të Gjykatës Federale të Drejtësisë, i cili do t’i informojë për akuzat dhe do të vendosë për vazhdimin e paraburgimit.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Një legjendë, një fanellë, një lamtumirë

Read Next

Kenia konfirmon rastin dhe viktimën e parë nga Ebola