Besnik Tahiri: Ende s’kemi informacione për seancë, të mblidhet Kuvendi
Javier Zanetti ka folur me emocione për ndeshjen që pritet të shënojë një tjetër moment të veçantë në karrierën e Lionel Messit me Kombëtaren e Argjentinës.
Ish-kapiteni i “Albiceleste”-s dhe aktualisht zëvendëspresident i Interit, Zanetti, ka kujtuar ditët e para të Messit me fanellën e kombëtares, duke e përshkruar yllin argjentinas si një futbollist të ndrojtur, por të jashtëzakonshëm.
Miqësorja mes Argjentinës dhe Beninit, e planifikuar për 7 tetor në stadiumin “Monumental”, pritet të jetë një mbrëmje e veçantë nderimi për Messin, i cili ka shkruar një nga kapitujt më të lavdishëm në historinë e futbollit argjentinas.
“Fliste pak, ishte shumë i ri, por fenomenal. Kujtoj një episod në Rosario, ku së bashku me Maxi Rodriguez organizuam një ndeshje solidariteti në stadiumin e Neëell’s Old Boys. Ishin rreth 40 mijë njerëz dhe të gjithë ishin aty për të. Ai ka qenë gjithmonë i gatshëm dhe shumë i ndjeshëm ndaj eventeve të tilla. Kjo tregon shumë për karakterin e tij”, ka thënë Zanetti.
Ai rrëfeu se që në ditët e para ishte e qartë se Messi do të bëhej një figurë e jashtëzakonshme për kombëtaren.
“Që në stërvitjen e parë e kuptuam se ishte ndryshe. Ishte e qartë se do ta bënte të madhe kombëtaren tonë. Pas Diego-s, lindi një tjetër gjeni, përsëri në vendin tonë. Është e pabesueshme”, u shpreh ish-kapiteni i Argjentinës.
Zanetti, i cili ka luajtur 37 ndeshje së bashku me Messin me fanellën e Argjentinës, theksoi edhe marrëdhënien e mirë që ka pasur gjithmonë me të.
“Kam pasur gjithmonë një raport të mirë me të, të bazuar në respektin reciprok. Shpresoj që në këtë event të përjetojë të gjitha emocionet që meriton dhe të marrë gjithë dashurinë e popullit argjentinas”.
Në fund, Zanetti e vendosi Messin dhe Diego Maradonën në një kategori të veçantë në historinë e futbollit argjentinas, duke kërkuar që dy legjendat të mos krahasohen mes tyre.
“Ka dhënë gjithçka, ndaj duhet respektuar. Messi ka arritur të bashkojë një popull të tërë, ashtu si Maradona. Mos i krahasoni. Të dy janë esenca e futbollit dhe, falë Zotit, kanë lindur të dy në Argjentinë”.
“Dua ta falënderoj Messin për të gjitha emocionet që na ka dhuruar dhe për mënyrën se si na ka përfaqësuar në të gjithë botën”, përfundoi Zanetti. /RTKLive