Berisha: Viti universitar nisi me një përçmim ndaj studentëve
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që të votohet mocioni për shmangien e procedurave për shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.
Tahiri kërkoi që mocioni të votohet gjatë ditës së sotme, ndërsa komisioni funksional ta trajtojë projektligjin brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që seanca për votimin e tij të mbahet në orën 17:30.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së kërkojmë votimin e mocionit për shmangie të procedurës sot deri në orën 16:30. Komisioni funksional deri në orën 17:00 duhet t’ia paraqesë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar, ndërsa votimi të bëhet sot në orën 17:30”, tha Tahiri.
Ai u bëri thirrje të gjitha grupeve parlamentare që ta mbështesin kërkesën, duke rikujtuar se një mocion i ngjashëm ishte mbështetur edhe gjatë leximit të parë.
“Ia kërkoj mbështetjen secilit grup parlamentar që ta mbështesë mocionin, ashtu siç e votuam në leximin e parë”, deklaroi ai.
Kërkesa e Tahirit u kundërshtua nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e cila theksoi rëndësinë e zgjedhjes së presidentit dhe kërkoi që partitë politike të dakordohen për hapat e mëtejmë.
“E kuptojmë rëndësinë, por dakordimi ishte pas takimit të Kurtit me Hamzën dhe kjo u bë para shefave të grupeve parlamentare. Nuk e kuptoj se si ka mundësi që vetëm pak orë para ju vini e kërkoni”, tha Haxhiu.
Sipas saj prioritet duhet të jetë zgjedhja e presidentit të Kosovës, duke paralajmëruar se dështimi në këtë proces mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve.
“Është shumë e rëndësishme që ne ta votojmë presidentin. Takohuni, merruni vesh dhe ejani në seancë. Nuk ka më të rëndësishme sesa presidenti. Nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje”, u shpreh ajo, përcjell Telegrafi.
Haxhiu kërkoi gjithashtu që liderët e partive politike të zhvillojnë takime dhe të gjejnë një marrëveshje, duke kritikuar përdorimin politik të çështjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk është e drejtë të luani me ndjenjat e protestuesve jashtë. UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja. UÇK-ja është e të gjithëve. Nuk mund ta keni në pronësinë tuaj UÇK-në”, deklaroi Haxhiu.
Në debat u përfshi edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se situata brenda dhe jashtë Kuvendit po përcillet me shqetësim.
“Jemi duke e përcjellë me shqetësim situatën, edhe brenda edhe jashtë. Ajo që dëgjuam është se ka një zotim për ta miratuar këtë projektligj në dy lexim”, tha Tahiri.
Ndërkohë, fjalën e mori sërish shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, por ndërhyrja e tij u ndërpre në gjysmë.
Tahiri theksoi se kërkesa e PDK-së lidhet me ndjeshmërinë e situatës dhe protestuesit që ndodhen jashtë objektit të Kuvendit.
“Kryetare, me plot të drejtë, ndjeshmëria dhe protestuesit… Sot Kuvendi është rrethuar me qytetarë dhe protestues rreth kësaj çështjeje. Po kërkojmë që të trajtohet me urgjencë mocioni dhe të bëhet i plotfuqishëm me urgjencë. UÇK-ja është mbi secilën parti politike”, tha Tahiri. /Telegrafi/