Merz uron Kurtin për rizgjedhjen: Gjermania qëndron fuqishëm në krah të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje pranoi letër urimi për Qeverinë dhe mandatin e ri nga Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz.

Në letrën e tij, Merz e ka uruar Kurtin për rizgjedhjen si Kryeministër, duke theksuar se pas muajve të pasigurisë politike, konfirmimi i zgjedhjes së tij krijon mundësi për zgjidhjen e çështjeve institucionale dhe avancimin e reformave.

“Ju përgëzoj përzemërsisht për rizgjedhjen Tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Kosova ka lënë pas muaj të tërë të pasigurisë politike, e cila i ka imponuar vendit kosto të larta. Konfirmimi i zgjedhjes Tuaj ofron mundësinë e ndërtimit të urave përtej prizmit partiak, zgjidhjes së çështjeve të hapura institucionale dhe avancimit të reformave”, shkroi Merz.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përparimeve në dialogun e normalizimit me Serbinë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Esenciale mbeten edhe përparimet thelbësore në dialogun e normalizimit me Serbinë të udhëhequr nga BE-ja”, shkroi ai.

Kancelari gjerman ka theksuar se Gjermania vazhdon të qëndrojë në krah të Kosovës, duke nënvizuar lidhjen e veçantë me popullin e Kosovës.

“Gjermania qëndron fuqishëm në anën e Kosovës. Ne jemi të lidhur me njerëzit e Kosovës në një miqësi të veçantë”, thuhet në letër.

Në fund, Merz i ka uruar Kurtit sukses në drejtimin e mandatit të ri.

“Për drejtimin Tuaj të detyrës, ju uroj shumë sukses”, përfundoi Kancelari Merz. /RTKlive

Read Previous

Stones: Tek Interi dua të mbahem mend për trofetë e fituar

Read Next

John Terry zbulon favoritin për të fituar Premier Ligën angleze