Barcelona mohon se UEFA ka nisur procedurë të re për rastin Negreira

Barcelona ka mohuar raportimet e disa mediave spanjolle se UEFA ka nisur një procedurë të re ndaj klubit lidhur me të ashtuquajturin “rasti Negreira”.

Çështja lidhet me pagesat që Barcelona dyshohet se ka bërë ndërmjet viteve 2001 dhe 2018 ndaj José María Enríquez Negreira, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve në Federatën Spanjolle të Futbollit. Sipas dokumentacionit të paraqitur nga Real Madridi, pagesat kanë kaluar tetë milionë euro.

Në një njoftim, Barcelona ka sqaruar se UEFA nuk ka nisur ndonjë procedurë të re, duke theksuar se procesi hetimor kishte nisur tre vjet më parë dhe nuk është mbyllur.

“UEFA nuk ka nisur asnjë procedurë kundër Barcelonës. Procedurat u nisën tre vjet më parë me emërimin e dy hetuesve”, thuhet në reagimin e klubit.

Barcelona ka shtuar se hetimi është ende në vazhdim dhe se deri më tani klubi nuk ka marrë ndonjë kërkesë apo njoftim të ri nga UEFA lidhur me dokumentacionin e paraqitur.

Gjatë periudhës 2001–2018, Barcelona fitoi nëntë tituj të La Ligës dhe katër trofe të Ligës së Kampionëve.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Trump komenton ekzekutimin e dështuar të Christa Pike: Ilaçi nuk funksionoi siç duhej

Read Next

​Dardanët rikthehen në Prishtinë, fillojnë përgatitjet për përballjen me Austrinë