Gjermania përgatitet për skenar lufte me Rusinë

Mesnatë në një lagje të Hamburgut. Rrugët janë të qeta e të zbrazëta, kur papritur shpërthen zhurma: disa helikopterë fluturojnë mbi qiellin e natës, dritat blu ndriçojnë errësirën dhe një kolonë e gjatë automjetesh përshkon rrugët.

Mbi mjetet e blinduara të Bundeswehr-it, Forcave të Armatosura Gjermane, qëndrojnë ushtarë me mitralozë të gatshëm për të hapur zjarr. Për banorët, pamja është e pazakontë dhe potencialisht shqetësuese, në një qytet port që zakonisht karakterizohet nga qetësia.

“Red Storm Charlie” është emri i stërvitjes që për tri ditë zhvillohet në pjesë të Hamburgut. Bundeswehr-i, policia dhe organizatat civile testojnë së bashku gatishmërinë për një situatë të jashtëzakonshme.

Skenari parashikon përshkallëzim të kërcënimit në krahun lindor të NATO-s. Në portin e Hamburgut, më të madhin detar të Gjermanisë, zbarkojnë trupa të NATO-s, të simuluara nga ushtarë të Bundeswehr-it, të cilët më pas kalojnë nëpër qytet në drejtim të lindjes.

Në skenar përfshihen edhe sabotime dhe demonstrata, të cilat ngadalësojnë përparimin e trupave.

Stërvitja, e zhvilluar nga 24 deri më 26 shtator 2026, përfshiu rreth 1,700 pjesëmarrës, mes tyre rreth 500 ushtarë, duke e bërë atë më të madhën e këtij lloji të zhvilluar deri tani në Gjermani.

Përmes këtij dokumenti, Bundeswehr-i përgatitet për një skenar të mundshëm sulmi rus ndaj territorit të NATO-s. Plani është i integruar me planifikimet më të gjera mbrojtëse të Aleancës.

Në rast lufte ose krize, Gjermania do të kishte një rol të rëndësishëm si nyje logjistike për qindra mijëra trupa të NATO-s, së bashku me armët dhe pajisjet e tyre të rënda.

“Është një plan shumë i detajuar dhe tepër sekret, që përcakton ku saktësisht do të zbarkonin aleatët e NATO-s në Gjermani, sidomos në cilët porte, si dhe cilat itinerare do të përdornin për tranzitin nëpër vend”, shpjegon Aylin Matlé, eksperte e sigurisë në Shoqërinë Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP), në një intervistë për Deutsche Welle.

Baltiku konsiderohet një nga zonat ku NATO-ja parashikon një kërcënim të mundshëm nga Rusia. Në një skenar të tillë, Aleanca do të duhej të zhvendoste kontingjente të mëdha nga 32 shtetet anëtare drejt krahut lindor.

Kjo do të nënkuptonte që një pjesë e madhe e trupave nga Evropa jugore dhe perëndimore do të kalonte përmes Gjermanisë.

“Konkretisht, kjo do të thotë që brenda gjashtë muajsh rreth 800 mijë ushtarë me 200 mijë automjete do të duhej të kalonin nëpër vend. Kështu është llogaritur”, thotë Marcel Bohnert, oficer i Bundeswehr-it, i cili ka marrë pjesë në hartimin e versionit të parë të planit. Ai ka folur për DW në cilësinë e një personi privat dhe jo si përfaqësues zyrtar.

Sipas tij, Gjermania duhet të garantojë përdorimin e sigurt të rrugëve dhe porteve nga trupat aleate, duke siguruar strehimin, ushqimin dhe mbrojtjen e tyre, si dhe duke i orientuar përgjatë rrjetit rrugor të vendit.

Plani parashikon edhe lëvizje në drejtim të kundërt, nga lindja drejt perëndimit, përfshirë transportimin e ushtarëve të plagosur dhe evakuimin e civilëve.

Urdhrin për hartimin e planit e dha Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, Carsten Breuer, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Gjermania përballet ndërkohë me një sërë kërcënimesh hibride, nga sulmet kibernetike deri te aktet e dyshuara të sabotimit.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha më 23 shtator në Bundestag se kërcënimi po bëhet gjithnjë e më konkret.

“Është serioz, është akut dhe po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Pikërisht këtë dëshiron presidenti rus. Moska po teston reagimin tonë”, deklaroi Pistorius.

Sipas Bohnert, Plani Operativ i Gjermanisë synon gjithashtu të ketë efekt parandalues, duke treguar aftësinë e vendit për të mobilizuar dhe zhvendosur shpejt forcat ushtarake drejt kufijve të NATO-s.

Një prej sfidave kryesore për Gjermaninë mbetet infrastruktura.

Ekspertja Aylin Matlé vlerëson se vendi duhet të mirëmbajë dhe riparojë urat, rrugët dhe korridoret e transportit që do të përdoren për lëvizjen e trupave.

Disa prej këtyre infrastrukturave datojnë që nga Lufta e Ftohtë dhe nuk janë projektuar për transportimin e ngarkesave apo pajisjeve të rënda ushtarake.

Një tjetër sfidë është ruajtja e ekuilibrit mes sekretit të planit dhe përfshirjes së autoriteteve civile.

Për shkak të rrezikut të sabotimit, informacionet e ndjeshme, si itineraret e sakta të lëvizjes së trupave të NATO-s, nuk mund të bëhen publike.

Nga ana tjetër, zbatimi i planit kërkon bashkëpunimin e autoriteteve lokale, policisë, organizatave të ndihmës dhe institucioneve të tjera civile.

“Pjesë të planit duhet të jenë publike, sepse na duhen shoqëria, ministritë dhe qeveritë”, thotë Bohnert.

Frika për rrjedhjen e informacionit te Rusia

Çështja e fshehtësisë së dokumentit, i cili përmban më shumë se 1,000 faqe, është rikthyer në qendër të diskutimit pas zgjedhjeve në landin Saksoni-Anhalt, ku AfD doli partia më e votuar.

Ekspertë të sigurisë kanë shprehur shqetësime për mundësinë që informacione të ndjeshme nga plani të përfundojnë në duart e Rusisë nëse AfD do të merrte drejtimin e landit.

Ministria gjermane e Mbrojtjes ka deklaruar se landet federale nuk e marrin dokumentin e plotë. Atyre u jepen vetëm pjesë të përzgjedhura të informacionit, në varësi të nevojave.

Read Previous

Numërimi drejt fundit: Zgjedhje të reja apo president

Read Next

Klubi spanjoll blihet zyrtarisht nga Lionel Messi