Manchester City në telashe serioze, klubet rivale po kërkojnë një dënim drastik
Dy përfundime të kundërta për dy karriera legjendare… Lamtumira nga futbolli ndërkombëtar tregon gjithashtu marrëdhënien e Messit dhe Ronaldos me kohën. Dy legjenda, dy përfundime krejtësisht të ndryshme.
Kur Lionel Messi të zbresë për herë të fundit në fushë me fanellën e Argjentinës, natën mes të martës, 6 tetor, dhe të mërkurës, 7 tetor, atmosfera do të jetë solemne, si një festë kolektive. Nuk do të jetë vetëm lamtumira e talentit më të madh në historinë e futbollit argjentinas dhe botëror, por përshëndetja me një lojtar që për vite ka bashkëjetuar me një “dënim” sportiv: krahasimin me Diego Armando Maradonën. Cristiano Ronaldo, në të kundërt, mund të mos marrë kurrë një nderim të ngjashëm nga Portugalia.
Pesha e trashëgimisë
Për një pjesë të popullit argjentinas, Messi nuk ishte i mjaftueshëm. Pavarësisht trofeve të fituar me Barcelonën, pavarësisht rekordeve, pavarësisht një karriere të papërsëritshme, gjithmonë mungonte diçka: Kupa e Botës, ai trofe që duhej ta shndërronte përfundimisht nga një fenomen i një gjenerate në legjendë kombëtare. Për këtë arsye, Argjentina për Messin nuk ka qenë kurrë thjesht një skuadër; ka qenë plagë, peshë, mision. Dhe Botërori në Katar nuk ka qenë vetëm një sukses sportiv; ka qenë momenti kur ai më në fund këputi fillin e krahasimit me futbollistin më të dashur. Nuk duhej të dëshmonte më se ishte në lartësinë e Diegos, sepse kishte shkruar faqen e tij në histori.
Marrëdhënia e tij me fanellën bardhekaltër ka kaluar nëpër të gjitha emocionet e mundshme: dashurinë, kritikat, zhgënjimin, tërheqjen e njoftuar pas finales së “Copa America” të humbur në vitin 2016 dhe më pas rilindjen. Messi nuk pushoi kurrë së kërkuari atë lidhje me vendin e tij, derisa fitoi gjithçka që dukej e pamundur. Tani lamtumira e tij do të jetë ajo e një kampioni që më në fund ka gjetur paqen. Yll i përshëndetur nga një popull që për vite i kishte kërkuar të ishte “më shumë” dhe që tani dëshiron vetëm ta falënderojë.
CR7 dhe fundi shumë më i komplikuar
Në anën tjetër është Cristiano Ronaldo, një tjetër simbol absolut i historisë së futbollit të dy dekadave të fundit. Edhe marrëdhënia e tij me kombëtaren ka qenë unike: asnjë lojtar nuk ka shënuar kaq shumë me Portugalinë (dhe në përgjithësi me kombëtaret), askush nuk ka përfaqësuar për kaq gjatë një përfaqësuese. Kapiten për 18 vite, me fanellën luzitane ka fituar një Europian dhe një “Nations League”, ka thyer çdo rekord të mundshëm. Por fundi i historisë së tij rrezikon të jetë i vështirë për t’u shpjeguar.
Ndjesia është se, vitet e fundit, kombëtarja është bërë për Ronaldon mbi të gjitha vendi ku të mbrojë pozicionin e tij, referencën e tij, rolin e tij si lider i padiskutueshëm. Uria, ambicia, refuzimi për ta ndier veten të plotësuar…; i njëjti mentalitet që e çoi në majën e botës, e ka bërë më të vështirë kalimin e brezave, sepse vjen gjithmonë një moment kur edhe më të mëdhenjtë duhet të pranojnë një të vërtetë: jeta vazhdon edhe pa ta. Dhe kur një kampion e ndërton gjithë karrierën e tij mbi idenë se është më i miri, pranimi i “perëndimit” mund të bëhet sfida më e komplikuar.
Portugalia e viteve të fundit ka treguar se ka një brez me talente të jashtëzakonshme, me lojtarë të gatshëm të marrin përsipër të ardhmen. Por prania e rëndësishme e Ronaldos ka hapur shpesh debatin më delikat: sa hapësirë duhet të ketë ende një legjendë kur e nesërmja troket në derë? Mënyra se si CR7 dje ua përplasi atë derë në fytyrë shokëve të skuadrës, trajnerit dhe federatës nuk i bën nder historisë së tij, sportistit të jashtëzakonshëm që është ende sot, në moshën 41-vjeçare. Dhe në këtë pikë duket e pamundur që lamtumira e tij të festohet si ajo e rivalit të madh.
Dy legjenda, dy karriera të papërsëritshme, dy përfundime të kundërta. Koha nuk gjykon vetëm sa i madh ke qenë, por edhe mënyrën se si ke lënë skenën. /Telesport.al/