Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, menjëherë pas konstituimit të tij, duke kërkuar që në Kuvend të procedohet sa më shpejt plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Mbledhja e Komisionit është zhvilluar me dyer të mbyllura për media.
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, tha se konstituimi i institucioneve është i rëndësishëm, por theksoi se, sipas PDK-së, prioriteti aktual duhet të jetë ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ne sapo morëm pjesë në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, dhe natyrisht si Parti Demokratike e Kosovës konsiderojmë që konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ishim aty. Mirëpo gjithashtu jemi larguar nga ky takim pas konstituimit për shkak se për momentin për Republikën e Kosovës nuk ka ndonjë prioritet më të madh se sa procedimi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen”, tha Kabashi-Ramaj.
Edhe deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, tha se kjo parti e konsideron këtë çështje si “prioritet mbi prioritetet”, duke paralajmëruar se deputetët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në komisione të tjera deri në procedimin e ligjit.
“Por neve si parti, qysh e tha edhe Besa, është prioritet mbi prioritetet ligji. Dhe ne nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kry ky ligj. Në qoftë se shohim kanë ardhur shumë ligje këtu brenda për brenda Kuvendit nëpër komisione të ndryshme, dhe ne besojmë, dhe po besoj, edhe gjithë qytetarët besojnë që prioriteti numër një është Ligji për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Rama.
I pyetur lidhur me premtimin e kryeministrit se ligji do të procedohet brenda javës, Rama tha se PDK-ja pret që kjo të ndodhë sa më shpejt.
“E presim, e presim na, këtu jemi domethënë, por ne presioni është që sa më parë që të vjen, sa më parë që është e mundshme me ardhur në Kuvend dhe t’i kryejmë të gjitha procedurat”, tha Rama.
Rama u pyet edhe për paralajmërimin për takime ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me çështjen e presidentit.
Ai tha se, për PDK-në, fillimisht duhet të procedohet Ligji për Dhomat e Specializuara, duke përfshirë, siç u shpreh ai, mbikëqyrjen e procesit dhe përkrahjen financiare. /RTKlive