Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë sot në Kosovë, në kuadër të turneut të saj të gjashtë në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, von der Leyen pritet të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit për media, takimi ndërmjet von der Leyen dhe Haxhiut do të nisë në orën 12:30, në ambientet e Presidencës së Kosovës.
Ndërsa kryeministri, Albin Kurti, në orën 13:00 e pret në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pas takimit do të mbahet konferencë për media.
Në fokus të vizitës pritet të jenë hapat e mëtejshëm të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, si dhe procesi i integrimit gradual, i mbështetur edhe përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian në Kosovë zhvillohet në kuadër të një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas Prishtinës, von der Leyen do të udhëtojë drejt Podgoricës, ndërsa turneu i saj do të përmbyllet më 2 tetor në Shkup.
Gjatë vizitës në Shqipëri, von der Leyen vlerësoi përparimin e këtij vendi në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, ajo tha se anëtarësimi i Shqipërisë do ta forconte jo vetëm vendin, por edhe Bashkimin Evropian.
Ajo theksoi se, pavarësisht përparimit, Shqipëria ka ende punë përpara dhe se nevojiten reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur të negociatave.
Von der Leyen veçoi gjithashtu luftën kundër korrupsionit si një element të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /RTKlive