Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërrin sot në Tiranë, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.
Vizita në Shqipëri shënon ndalesën e parë të një agjende që zyrtarja e lartë evropiane do ta bëjë edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, von der Leyen pritet të zhvillojë takime me drejtuesit më të lartë të vendit, ku në qendër të diskutimeve do të jetë procesi i integrimit evropian dhe hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Më 1 tetor, presidentja e Komisionit Evropian do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti. Po atë ditë, axhenda e saj vijon në Podgoricë, ndërsa turi përmbyllet më 2 tetor në Shkup.
Në fokus të vizitës në katër vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të jenë reformat dhe përparimi në rrugën evropiane, si dhe procesi i integrimit gradual të rajonit në strukturat dhe tregun e Bashkimit Evropian.
Një tjetër çështje me rëndësi do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, instrumenti përmes të cilit BE synon të nxisë zhvillimin ekonomik, reformat dhe afrimin e vendeve të rajonit me tregun evropian.
Ky është turi i gjashtë i Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitave, ajo pritet të ndalet edhe në projekte të mbështetura financiarisht nga Bashkimi Evropian. /RTKlive