Rama: Ende e dashurojmë BE-në, mos e lini në baltë Ballkanin

Kryeministri Edi Rama ka folur për procesin e integrimit europian të Shqipërisë në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, ku u ndal edhe te klima sociale dhe politike në vend.

Duke iu referuar protestave të “Revolucionit Flamingo”, Rama tha se ato janë bërë një shembull i rritjes së pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

“Jam i sigurt që ju jeni argëtuar mjaft kohët e fundit me flamingot”, tha Rama, duke shtuar se Shqipëria ka bërë përparim gjatë dekadës së fundit dhe se qytetarët tashmë presin më shumë nga vendi.

Sipas kryeministrit, Shqipëria ka kaluar nga një periudhë ku njerëzit mendonin se gjërat mund të përkeqësoheshin, në një fazë ku besojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.

“Ky është revolucion i rritjes së pritshmërive. Njerëzit e kanë kuptuar që vendi e ka aftësinë për të kërcyer edhe më lart, të bëhet komplet ndryshe”, u shpreh ai.

Rama foli edhe për shqetësimet e qytetarëve, duke përmendur pasiguritë, ankthin dhe atë që e cilësoi si përhapje të lajmeve të pasakta dhe teorive konspirative.

Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se, ndryshe nga disa vende anëtare të BE-së, shqiptarët vijojnë ta shohin anëtarësimin në Bashkimin Europian si një objektiv të rëndësishëm.

“Ende e dashurojmë BE-në”, deklaroi Rama, duke shtuar se pavarësisht debateve dhe mosdakordësive të brendshme, për një çështje shqiptarët janë të bashkuar.

“Për një gjë kemi rënë të gjithë dakord: për faktin që duam të jemi pjesë e Evropës dhe e dashurojmë Evropën”, tha ai.

Në përfundim, Rama iu drejtua vendeve europiane me një apel për procesin e zgjerimit.

“Unë shpresoj shumë që mos të na lini përsëri në baltë sepse shkon përtej, është të lësh në baltë edhe vetveten. Nëse Evropa do të lërë në baltë BE, do të jetë dështimi më madhor”, u shpreh kryeministri.

Read Previous

EULEX dhe Policia e Kosovës kryejnë sot stërvitje të përbashkët për kontrollin e turmave

Read Next

Mbi 14 mijë nënshkrime për largimin e emrit “Uroševac” nga përdorimi zyrtar