Biografia e Bekim Sejdiut, i propozuar për president të Kosovës
Bekim Sejdiu (1974) ka një karrierë të gjatë akademike, diplomatike dhe institucionale, me përvojë në të drejtën ndërkombëtare, marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomaci dhe të drejtat e njeriut.
Para angazhimit të tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës në prill të vitit 2015, Sejdiu ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe i takon brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.
Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2014 si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork. Para emërimit si ambasador, ka shërbyer si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Që nga viti 2002, Sejdiu është i angazhuar në mësimdhënie në Departamentin e së Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet juridike i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1999. Ka përfunduar dy studime të nivelit master: në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Bilkent në vitin 2005 dhe në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Sarajevës dhe Universitetin e Bolonjës në vitin 2001.
Ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe të Studimeve Evropiane – Nova Univerza, në Slloveni.
Gjatë angazhimeve të tij publike dhe profesionale, Sejdiu ka qenë i përfshirë në iniciativa për promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore. Ka qenë pjesë e grupit themelues dhe anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, nga viti 2002 deri në vitin 2008. Në periudhën 2000–2002 ka qenë drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile – FKSHC.
Për veprimtarinë e tij publike është nderuar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh, ndër të cilat Dekorata e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut, Çelësi i Qytetit Worcester në Massachusetts dhe medalja e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë.
Krahas angazhimeve institucionale, ka vazhduar veprimtarinë akademike, duke marrë pjesë në vizita studimore në universitete të ndryshme të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është autor i një numri punimesh akademike të botuara në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare.
Bekim Sejdiu është i martuar me Alberie Sejdiu (Rraci), mësuese në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, dhe kanë tre fëmijë: Melisën, Samirën dhe Jonin. /RTKlive