Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka përkujtuar me nderim, në ditën e lindjes, arkeologun dhe studiuesin e njohur Hasan Ceka, i cili konsiderohet një nga themeluesit e arkeologjisë shqiptare.
Hasan Ceka lindi më 25 gusht 1900. Pas studimeve në Vjenë, ai u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1930 nisi punën në Bibliotekën Kombëtare, ku krijoi një koleksion arkeologjik që vazhdon të jetë pjesë e trashëgimisë së Institutit të Arkeologjisë.
Gjatë veprimtarisë së tij, Ceka përfaqësoi Shqipërinë pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apolloni dhe Butrint. Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni, ndërsa më vonë iu përkushtua në mënyrë të veçantë studimit të këtij qyteti antik.
Në Apolloni, ai kontribuoi në zbulimin e disa monumenteve të rëndësishme, përfshirë një kompleks arkitektonik pranë ndërtesës së Agonotetëve dhe nimfeun e qytetit.
Një tjetër fushë e rëndësishme e punës së Hasan Cekës ishte numizmatika. Ai u mor me studimin, grumbullimin dhe ruajtjen e monedhave antike dhe mesjetare shqiptare. Ndër veprat e tij më të njohura është “Probleme të numizmatikës ilire”, botuar në vitin 1965, si dhe studimi “Monetat e Dyrrahut dhe Apollonisë”.
Ceka ishte gjithashtu njohës i greqishtes së vjetër dhe latinishtes dhe kontribuoi në përgatitjen dhe përkthimin në shqip të veprës “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”.
Trashëgimia e tij shkencore përfshin dhjetëra artikuj, studime dhe kumtesa të botuara brenda dhe jashtë vendit, të cilat më pas u përmblodhën në veprën “Në kërkim të historisë ilire”.
Hasan Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998, duke lënë një kontribut të jashtëzakonshëm në studimin e historisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë së lashtë shqiptare./KultPlus.com