Flick ka kritika edhe pas fitores 5:0 të Barcelonës

Barcelona e filloi furishëm mbrojtjen e titullit të kampionit të Spanjës. Të dielën mbrëma fitoi 5:0 në udhëtim ndaj Elches, në kuadër të xhiros së dytë

Raphinha e Fermin Lopez i shënuan nga dy gola, ndërsa një e shtoi debutuesi Karim Adeyemi.
Por trajneri Hansi Flick kërkon edhe më shumë. Kritikën e parë në konferencë për media e dha pikërisht tekniku gjerman.

Ai pranoi se skuadra e kishte humbur topin “shumë lehtë” në pjesën e parë. Flick kërkoi më shumë kontroll, ndërsa më pas foli me entuziazëm për “fillimin fantastik”.

Dhe gazetarët kaluan shpejt në tema më të pakëndshme. E tillë ishte sidomos ajo për mbrojtësin e majtë, Alejandro Balde, që nuk u grumbullua fare. Ka raportime për një ofertë të Manchester Unitedit për Balden. 

Flick e shpjegoi vendimin për të mos e grumbulluar 22-vjeçarin.

“Ka shumë gjëra në mendjen e tij”, tha trajneri i Barçës. 

19-vjeçari Xavi Espart e zëvendësoi Balden në pozitën e mbrojtësit të majtë. Ai i la përshtypje trajnerit.
“Lojtar tjetër nga ‘La Masia’, lojtar tjetër në këtë nivel. Kjo është e jashtëzakonshme”.

Hansi Flick foli me entuziazëm edhe për Karim Adeyemin, i cili debutimin pozitiv e kurorëzoi me gol.

“Është lojtar i jashtëzakonshëm dhe shumë i nënvlerësuar. I kam thënë të mos shqetësohej sepse do ta duan këtu në Barcelonë”.

Flick vlerësoi fizikun e Adeyemit dhe fillimin e tij te Barcelona në përgjithësi. “E duam energjinë që ai sjell në ekip. Është i shpejtë dhe finalizues i mirë. Po përshtatet mirë”.

Përshtypje la edhe transferimi tjetër i verës, Anthony Gordon. Ai asitoi në dy gola, pasi u aktivizua si zëvendësues.

Derisa Adeyemi e Gordon kanë mundur të ëndërrojnë për një fillim të tillë, Gavi përfundimisht ka pritur fillim tjetër të kampanjës. Mesfushori 22-vjeçar u zëvendësua pak para fundit të pjesës së parë për shkak të dhembjeve në gjurin e majtë. Ai është goditur nga lëndimet edhe në të kaluarën. Flick megjithatë mbetet optimist, duke treguar se Gavi i tha që “është më mirë se që ka pritur”.

Më 27 gusht Barça luan para tifozëve të saj ndaj Athletic Bilbaos.

Read Previous

Dr. Dre: AI-ja nuk duhet të shihet si kërcënim, por mjet ndihmës për krijuesit

Read Next

Zelensky: Rusia po përgatitet të mobilizojë 300,000 trupa për të pushtuar plotësisht Ukrainën lindore