Mbi 824 mijë vizitorë në shtatë muajt e parë të vitit në sitet e trashëgimisë kulturore

Institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri kanë regjistruar një rritje të ndjeshme të vizitorëve gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri publike shifrat e periudhës janar–korrik 2026, gjatë të cilës këto destinacione u vizituan nga 824,340 persona, vendas dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 80% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Shifrat tregojnë një rritje të vazhdueshme të interesit për monumentet, muzetë dhe parqet arkeologjike shqiptare. Në krahasim me vitin 2024, numri i vizitorëve është rritur me 26.4%, ndërsa krahasuar me vitin 2025, rritja është 6.3%.

Në krye të listës së siteve më të vizituara vijon të mbetet Kalaja e Gjirokastrës e ndjekur nga Butrinti me rreth 160 mijë vizitorë secili, ndërsa edhe destinacionet e tjera vijojnë të tërheqin një numër të konsiderueshëm turistësh vendas dhe të huaj:

Kalaja e Gjirokastrës – 161,274 vizitorë

Parku Kombëtar i Butrintit – 158,612 vizitorë

Parku Arkeologjik i Shkodrës – 108,150 vizitorë

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë – 84,177 vizitorë

Parku Arkeologjik i Apolonisë – 77,402 vizitorë

Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” – 57,372 vizitorë

Rritja e numrit të vizitorëve dëshmon interesin në rritje për trashëgiminë kulturore shqiptare, duke e kthyer historinë, monumentet dhe pasuritë arkeologjike në një nga pikat e rëndësishme të atraksionit turistik në vend./atsh/KultPlus.com

Read Previous

E ardhmja e mjekësisë mund të jetë te videolojërat