Gjysma e finlandezëve kanë frikë se inteligjenca artificiale do të çojë në papunësi masive, megjithëse ekspertët thonë se ndikimi i saj në punësim në të ardhmen e afërt ka të ngjarë të jetë dukshëm më i kufizuar, tregoi një sondazh i publikuar të enjten, transmeton Anadolu.
Më shumë se gjysma e finlandezëve pajtohen plotësisht ose pjesërisht me pretendimin se inteligjenca artificiale do të shkaktojë papunësi masive, raportoi transmetuesi publik Yle, duke iu referuar një sondazhi të fundit nga Taloustutkimus.
Sondazhi tregoi gjithashtu se brezat më të rinj, ata nën moshën 35-vjeç, janë qartësisht më të shqetësuar për këtë çështje.
Duke folur për median, studiuesit thanë se, megjithëse inteligjenca artificiale me siguri do të zhdukë vende pune, shqetësimet për papunësi masive dhe të përhapur janë ndoshta shumë të ekzagjeruara, të paktën në afat të shkurtër dhe të mesëm.
Ramin Izadi, ekspert që sapo ka shkruar për inteligjencën artificiale, tha se beson se shqetësimet e njerëzve janë nxitur nga parashikimet e gjigantëve të teknologjisë dhe drejtuesve të kompanive të inteligjencës artificiale se shumë profesione do të zhduken në vitet e ardhshme.
“Shumica e vendeve të punës që kemi sot janë të tilla që nuk ekzistonin as 50 vjet më parë”, shtoi ai.
Ari Hyytineni, profesor në Shkollën e Ekonomisë Hanken në Helsinki, tha se në shumicën e rasteve inteligjenca artificiale ndoshta është në gjendje të zëvendësojë vetëm disa, por jo të gjitha, detyra brenda një profesioni. /Anadolu Agency/