Kurti: Pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’i sjellim një president të ri
Gatishmëri për të kontribuar në krijimin e stabilitetit institucional kanë shprehur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit të zhvilluar të martën në Kuvendin e Kosovës.
Në fokus të takimit ishte çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës. Megjithatë, Kurti dhe Abdixhiku nuk diskutuan emra konkretë, por u fokusuan në profilin dhe kriteret që duhet t’i përmbushë kandidati për postin e presidentit.
Kurti e cilësoi takimin si konstruktiv, duke thënë se ka parë vullnet të LDK-së për të kontribuar në zgjedhjen e një presidenti të ri dhe shmangien e një situate që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive edhe e pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja”, tha Kurti.
Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar gjerësisht për vlerat, meritat, përvojën dhe kontributin që duhet ta ketë figura e ardhshme presidenciale.
Edhe Abdixhiku konfirmoi se emrat nuk kanë qenë pjesë e diskutimit të këtij takimi, por bëri të ditur se në takimin e ardhshëm palët pritet të shkojnë me kandidatura konkrete.
“Nuk duam një president të parëndësishëm, por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se të dy subjektet do të zhvillojnë konsultime të brendshme dhe me shoqërinë, para se të rikthehen në tryezën e radhës.
“U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme, por në fund të ketë një emër”, tha Abdixhiku.
Në takimin me Kurtin, Abdixhiku ishte i shoqëruar nga deputetët Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri.
LDK-ja ka bërë të qartë se nuk synon drejtimin e Kuvendit apo pjesëmarrjen në Qeveri, duke zgjedhur të qëndrojë në opozitë. Megjithatë, kjo parti ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në formimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.
Ndërkaq, PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar ftesat për takime nga Vetëvendosje. Këto dy subjekte kanë insistuar që fillimisht të konstituohet Kuvendi, ndërsa nuk kanë dhënë një qëndrim të qartë nëse do ta mbështesin zgjedhjen e presidentit të ri.
Në zgjedhjet e qershorit, LVV-ja fitoi 53 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy rundet e para kërkohet prania e së paku 80 deputetëve në sallë. Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, vendi shkon në zgjedhje të reja.