Ronaldinho flet për verën, alkoolin dhe përgjegjësinë e futbollistëve
Ish-ylli brazilian Ronaldinho ka folur për pasionin e tij për verën, projektin “Wine of the Champions”, por edhe për një çështje më të gjerë: përgjegjësinë e futbollistëve ndaj tifozëve dhe sidomos fëmijëve.
Fituesi i Topit të Artë është pjesë e një projekti të veçantë, ku më shumë se 20 legjenda të futbollit kanë krijuar verërat e tyre.
Projekti, i nisur më shumë se 10 vite më parë nga producenti Fabio Cordella, synon të bashkojë botën e futbollit me atë të verës, duke i përfshirë ish-futbollistët edhe në procesin e prodhimit.
Ronaldinho, me stilin e tij karakteristik, nuk ka ngurruar të bëjë edhe pak shaka me faktin se shumë emra të futbollit janë futur në këtë industri.
“Tani Ronaldinho po vendos trendin. E shoh që pas meje të gjithë duan të bëjnë verë. Të gjithë më kopjojnë. Por e vërteta është se vera më e mirë mbetet e imja”, ka thënë braziliani me humor.
Ai beson se një futbollist aktiv duhet të jetë shumë më i kujdesshëm me produktet që promovon, për shkak të ndikimit që ka te gjeneratat e reja.
“Kur karriera jote sportive ka përfunduar, në jetën e përditshme është krejtësisht në rregull të vendosësh fytyrën tënde dhe të promovosh një produkt alkoolik. Por gjatë aktivitetit konkurrues është ndryshe. Një fëmijë 10, 12 apo 15 vjeç nuk mund ta ndajë rëndësinë e figurës së idhullit të tij nga produkti që ai promovon. Një futbollist që ende luan nuk është shembull i mirë për të rinjtë nëse fillon të promovojë verë, vodka apo pije të tjera alkoolike. Ne mund ta bëjmë këtë sepse jemi legjenda”, është shprehur Ronaldinho.
Legjendat janë përfshirë drejtpërdrejt në procesin e krijimit të verërave të tyre. Ronaldinho ka kaluar më shumë se një javë në kantinë, duke përzgjedhur me kujdes fuçitë për verën e tij.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me emra të tjerë të mëdhenj.
Eden Hazard ka kaluar tri ditë në kantinë dhe është rikthyer në dy raste të tjera, Ivan Zamorano ka qëndruar 10 ditë, ndërsa Amauri dhe Sébastien Frey kanë kaluar rreth 15 ditë në kantinë, duke marrë pjesë edhe në vjeljen e rrushit gjatë periudhës së pandemisë.
Në fund, Ronaldinho duket se ka gjetur një mënyrë tjetër për të vazhduar historinë e tij edhe pas futbollit.
Nga magjia me topin në këmbë, braziliani tashmë po kërkon të lërë gjurmë edhe në botën e verës. Dhe nëse në futboll ai i la të gjithë pas me driblimet e tij, tani, sipas vetë Ronaldinhos, edhe në kantinë konkurrenca ka filluar – dhe ai ende pretendon se është në krye. /KosovaPress/