Trump redukton stërvitjet ushtarake me Korenë e Jugut pas refuzimit për mbështetje kundër Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar Pentagonin që të reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke e lidhur vendimin me refuzimin e Seulit për ta mbështetur SHBA-në në luftën kundër Iranit.

Trump tha se stërvitjet janë të kushtueshme dhe se ato dërgojnë një “sinjal krejtësisht të papërshtatshëm dhe armiqësor” ndaj Koresë së Veriut.

Sipas tij, Pheniani ka qenë “jo kërcënues dhe respektues” gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

“Duke qenë se është tepër vonë për t’i anuluar, e kam udhëzuar Sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, që të reduktojë ndjeshëm Ushtrimet e Përbashkëta Ushtarake”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan tha se së fundmi e kishte pyetur presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, nëse Seuli do t’i bashkohej Uashingtonit në përpjekjet për “denuklearizimin” e Iranit, por se përgjigjja kishte qenë negative.

Sipas Trump, përgjigjja e palës koreano-jugore ishte: “Jo, faleminderit!”.

Administrata amerikane ka kritikuar edhe aleatët e NATO-s për mungesën e mbështetjes ndaj fushatës së SHBA-së kundër Iranit.

Stërvitjet 11-ditore “Ulchi Freedom Shield”, ku marrin pjesë rreth 18 mijë trupa të Koresë së Jugut, zhvillohen për të rritur gatishmërinë ushtarake përballë kërcënimeve të mundshme nga Koreja e Veriut.

Ushtria amerikane ka thënë se këto stërvitje forcojnë aleancën mes Uashingtonit dhe Seulit dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë rajonale.

“Ulchi Freedom Shield” është një nga dy stërvitjet kryesore që SHBA-ja dhe Koreja e Jugut zhvillojnë çdo vit.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Wall Street Journal: Irani shfrytëzoi armëpushimin 60-ditor për t’u përgatitur për një luftë të re me SHBA-në dhe Izraelin

Read Next

Ronaldo paralajmëron pensionimin: Ky është ndoshta viti im i fundit në futboll