Hapen aplikimet, 300 vende të lira për të rinjtë që duan t’i bashkohen Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për pranimin në funksionet e rolit zbatues “Patrullë e Përgjithshme”, me 300 vende të lira për të rinj e të reja që dëshirojnë t’i bashkohen strukturave të Policisë së Shtetit.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku fton të rinjtë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e uniformës së Policisë së Shtetit.
Sipas Lamallarit, procesi i konkurrimit do të udhëhiqet nga parimet e meritës, shanseve të barabarta, transparencës dhe integritetit.
“Për të rinjtë që duan të jenë pjesë e një Shqipërie europiane, moderne dhe të sigurt, uniforma është një mundësi për të kontribuar me dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, shprehet ai.
Aplikimet do të jenë të hapura nga 17 gushti deri më 18 shtator 2026.
Lamallari thekson se Shqipëria ka nevojë për njerëz që zgjedhin të shërbejnë me uniformë, duke kontribuar për rendin dhe sigurinë si parakusht për zhvillimin e vendit.
Të interesuarit mund të njihen me kriteret dhe procedurat e aplikimit në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. /ATSH/