Dyert e mbyllura të Kuvendit, Administrata sqaron: Nuk pati njoftim zyrtar për seancë

Administrata e Kuvendit të Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e krijuar të dielën, pasi deputetët e PDK-së u paraqitën në Kuvend dhe kërkuan vazhdimin e seancës konstituive.

PDK-ja i kishte bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që seanca të vazhdonte sot nga ora 11:00, por deputetët e kësaj partie i gjetën dyert e sallës së seancave plenare të mbyllura.

Në një njoftim në Facebook, Administrata e Kuvendit ka sqaruar se për datën 16 gusht nuk kishte pranuar asnjë njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance.

“Për rrjedhojë, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse administrative, teknike dhe logjistike për organizimin e një seance të tillë”, thuhet në njoftim.

Administrata ka theksuar se kjo nuk përbën vendim politik dhe as qëndrim ndaj iniciativave të deputetëve apo grupeve parlamentare.

Sipas njoftimit, me pranimin e komunikimit zyrtar për mbajtjen e një seance, Administrata do të ndërmarrë veprimet përkatëse dhe do të ofrojë mbështetjen administrative, teknike dhe logjistike.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Liverpooli përgatit ofertë marramendëse për Endrickun, Reali në dilemë për të ardhmen e brazilianit

Read Next

Erdogan: Egjipti mund t’i bashkohet marrëveshjes së mbrojtjes me Turqinë, Arabinë Saudite dhe Pakistanin