Dedaj: Aksidentet përsëriten në të njëjtat vende, por nuk po hulumtohen
Shkencëtarët në Britani po zhvillojnë organe të vogla njerëzore të krijuara nga qelizat e pacientëve, me synimin për të testuar ilaçet më saktë dhe për të ulur përdorimin e kafshëve në studime mjekësore, ka shkruar The Guardian.
Projekti i ri, me vlerë 20 milionë funte britanike, do të zhvillohet në Cambridge dhe do të fokusohet te krijimi i modeleve të standardizuara të quajtura organoide, struktura shumë të vogla të rritura nga qelizat njerëzore që mund të imitojnë disa funksione të organeve të vërteta.
Studiuesit shpresojnë se këto modele do t’u ndihmojnë të kuptojnë pse një sëmundje mund të shfaqet ndryshe te pacientë të ndryshëm dhe cilat ilaçe funksionojnë më mirë për secilin person.
Sot, shumë ilaçe testohen fillimisht te kafshët. Por më shumë se 90 për qind e ilaçeve që kalojnë testet te kafshët dështojnë më vonë gjatë provave te njerëzit.
Profesori Matthias Zilbauer nga Cambridge Stem Cell Institute ka thënë se modelet e reja mund të japin rezultate më të përshtatshme për njerëzit.
“Shumë sëmundje njerëzore ose nuk shfaqen te kafshët, ose shfaqen ndryshe, sepse nuk janë njerëz. Ne duam modele që të na tregojnë cilat trajtime funksionojnë dhe te cilët pacientë. Një mi nuk mund të na e tregojë këtë”, ka thënë profesori.
Ai ka theksuar se kafshët nuk do të zhduken menjëherë nga studimet, por përdorimi i tyre mund të reduktohet ndjeshëm.
“Nuk po themi se nuk do të ketë më përdorim të kafshëve në të ardhmen e afërt. Por reduktimi do të jetë real”, ka thënë ai.
Shkencëtarët kanë krijuar organoide nga qeliza njerëzore prej më shumë se një dekade. Edhe pse janë më të vogla se një milimetër, ato mund të imitojnë disa karakteristika të organeve të vërteta dhe mënyrën se si preken nga sëmundjet ose reagojnë ndaj ilaçeve.
Në Cambridge do të krijohet një bibliotekë me organoide të standardizuara, të cilat do të jenë në dispozicion të universiteteve dhe kompanive farmaceutike.
Ekipi i Zilbauerit do të nisë me modele të sëmundjeve inflamatore të zorrëve, si koliti ulceroz dhe sëmundja e Crohnit. Studiues të tjerë do të krijojnë tumore miniaturë për studimet ndaj kancerit dhe organoide të trurit për studimin e sëmundjeve neurologjike.
Projekti është pjesë e planit të qeverisë britanike për të përshpejtuar kalimin drejt metodave alternative, si organoidet, organet në çip dhe inteligjenca artificiale.
Në vitin e kaluar, në Britani u kryen rreth 2.54 milionë procedura eksperimentale te kafshët, një rënie prej 3.8 për qind krahasuar me vitin 2024.
Një tjetër fond prej 2 milionë paundësh do të mbështesë nëntë projekte që synojnë reduktimin e përdorimit të kafshëve si qentë dhe majmunët në testet e sigurisë.
Ekspertët besojnë se teknologjia mund të sjellë edhe një përfitim tjetër: mjekësi më të personalizuar, ku ilaçet testohen mbi qeliza që vijnë drejtpërdrejt nga pacientët.
Doktoresha Juliet Dukes e përshkruan këtë si zhvillim premtues.
“Një nga avantazhet e mëdha të organoideve dhe organeve në çip është se, ndryshe nga modelet e kafshëve, ato kanë potencial real për të sjellë mjekësi vërtet të personalizuar për çdo pacient”, ka thënë ajo.