Rama i përgjigjet Gjuriqit: Kosova nuk është territor i Serbisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, pas përplasjes së fundit mes Tiranës dhe Beogradit lidhur me lumin Ibër.

Ai ka theksuar se Kosova është shtet më vete dhe se qytetarët e saj kanë të drejtë të përcaktojnë të ardhmen e tyre.

“Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në krah të kësaj të drejte”, ka deklaruar Rama.

Rama ka përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë edhe për statusin e Kosovës, duke thënë se Serbia “e humbi Kosovën”.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e ka humbur mund ta shndërrojë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por, për fat të keq, hartat janë më pak të përshtatshme për këtë”, ka shkruar ai.

Kryeministri shqiptar ka theksuar gjithashtu se territori i Kosovës nuk mund të konsiderohet territor i Serbisë dhe se burimet natyrore në Kosovë nuk janë burime të Republikës së Serbisë.

“Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen në të nuk janë burime të Republikës së Serbisë”, ka deklaruar Rama.

Megjithatë, ai e ka rikthyer debatin te çështja që e nxiti përplasjen mes dy vendeve – lumi Ibër. Sipas Ramës, Ibri është një sistem ujor ndërkufitar dhe çdo ndërhyrje që mund të ketë pasoja për një shtet tjetër duhet të marrë parasysh edhe efektet përtej kufirit.

“Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të argumentojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një shtet tjetër ndalojnë në mënyrë magjike në kufirin serb”, ka shkruar Rama.

Ai është shprehur se pikërisht për këtë ekziston e drejta ndërkombëtare e ujërave.

“Lumenjtë kanë vesin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo deklaratat diplomatike”, ka ironizuar Rama.

Kryeministri shqiptar ka folur edhe për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, duke thënë se siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e fetare e tyre duhet të mbrohen.

Në të njëjtën kohë, Rama ka kundërshtuar atë që e konsideron si kontradiktë në qëndrimin e Beogradit: akuzimin e Shqipërisë për “ekspansionizëm etnik”, ndërsa Serbia vazhdon ta trajtojë territorin e Kosovës si pjesë të territorit të saj.

Rama ka theksuar se Shqipëria mbështet respektimin e kufijve ekzistues dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Ekziston një parakusht i vogël përpara se kufijtë të bëhen më pak të rëndësishëm: pranimi i kufijve që tashmë ekzistojnë”, ka shkruar ai.

Në fund, Rama ka mohuar çdo projekt të fshehtë territorial nga Tirana.

“Nuk ka asgjë të fshehtë në këtë qëndrim. Nuk ka pasur kurrë. As harta sekrete. As kufij të fshehur. Asnjë ‘Shqipëri e Madhe’ apo asgjë tjetër ‘e Madhe’ nuk është e nevojshme”, ka deklaruar ai.

Përplasja mes Tiranës dhe Beogradit është ndezur pas debatit për lumin Ibër. Gjuriq ka insistuar se Serbia është sovrane në menaxhimin e burimeve të saj, ndërsa pala shqiptare argumenton se çdo ndërhyrje në një sistem ujor ndërkufitar duhet të marrë parasysh pasojat që mund të shfaqen përtej kufirit.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Nuk e lanë të hynte në SHBA, UEFA i jep një tjetër mundësi: Gjyqtari Artan shkruan historinë

Read Next

Luis Enrique synon trofeun e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve