Fillojnë punimet e Konferencës së IX të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës hapi sot punimet e Konferencës së IX të Ambasadorëve, e cila po mbahet nën temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”, me pjesëmarrjen e krerëve institucionalë, ambasadorëve dhe shefave të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Zëvendëskryeministri dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, falënderoi ambasadorët për kontributin e tyre dhe theksoi rëndësinë e Konferencës së Ambasadorëve për vlerësimin e rezultateve të diplomacisë së Kosovës, si dhe për shqyrtimin e sfidave dhe zhvillimeve ndërkombëtare që ndikojnë në objektivat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

Ai nënvizoi përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike, orientimit euroatlantik dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe angazhimin për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Konjufca veçoi intensifikimin e aktivitetit diplomatik gjatë muajve të fundit, avancimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, zgjerimin e rrjetit diplomatik, promovimin e diplomacisë ekonomike dhe publike, si dhe fuqizimin e lidhjeve me diasporën. Ai ritheksoi se integrimi euroatlantik, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe avancimi drejt Bashkimit Evropian mbeten ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.

Konjufca theksoi se diplomacia e Kosovës do të vazhdojë të jetë aktive, e orientuar drejt rezultateve dhe në shërbim të interesit shtetëror, me synimin për të forcuar aleancat, për të rritur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të krijuar më shumë mundësi për qytetarët e saj.

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, duke folur për prioritetet e politikës së jashtme, vlerësoi se Kosova ka ndërtuar një pozitë të rëndësishme ndërkombëtare në më pak se dy dekada shtetësi, duke theksuar se njohjet e reja kanë dëshmuar se procesi i njohjes vazhdon dhe se qëndrimet e shteteve mund të ndryshojnë. Ajo u bëri thirrje ambasadorëve që, krahas avancimit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, të identifikojnë fusha konkrete bashkëpunimi ku Kosova mund të kontribuojë dhe të ndërtojë partneritete afatgjata me shtetet mike.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij, theksoi se, në rrethanat aktuale globale dhe rajonale, Kosova ka zgjedhur të përqendrojë gjithë angazhimin e saj në forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e kapaciteteve të sigurisë, si dhe thellimin e mëtejmë të partneriteteve ndërkombëtare. Për Kosovën, kjo nënkupton vazhdimësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë që ndajnë të njëjtat vlera dhe që mbeten të përkushtuar për ruajtjen e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Kryeministri Kurti veçoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me NATO-n, duke theksuar se partneriteti me Aleancën Veriatlantike dhe angazhimi në programet e saj përbëjnë shtylla kyçe për avancimin e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës. Sipas tij, prania dhe roli i NATO-s në Kosovë dhe në rajon vazhdojnë të jenë faktorë të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.

Konferenca e IX-të e Ambasadorëve do të vazhdojë punimet edhe gjatë dy ditëve në vijim, gjatë të cilave ambasadorët dhe shefat e misioneve të Republikës së Kosovës do të diskutojnë për prioritetet e politikës së jashtme, sfidat dhe zhvillimet ndërkombëtare, si dhe mundësitë për avancimin e interesave shtetërore të Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Read Previous

Banda “zhduket” nga Lecce

Read Next

Alarm pranë klubit të golfit të Trumpit, F-16 interceptojnë dy aeroplanë që shkelën zonën