Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë njofton se gjatë fundjavës, në kuadër të planit operativ “Vera 2026” ndërmarrë masa ndaj tre kundërvajtësve në dy raste të ndara.
Njoftimi i plotë:
Njësia e Trafikut Rrugor në Gjakovë ndërmerr masa ligjore ndaj kundërvajtësve në trafikun rrugor
Gjakovë,10 gusht 2026
Me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë po vazhdon me aktivitete policore, të orientuara në parandalimin e aksidenteve, identifikimin e kundërvajtësve, veçanërisht kundërvajtjeve të rrezikshme që mund të rezultojnë me pasoja të rënda.
Gjatë fundjavës, në kuadër të planit operativ “Vera 2026”, janë ndërmarrë masa ndaj tre kundërvajtësve në dy raste të ndara:
• Në rastin e parë dy drejtues automjetesh janë ndaluar duke bërë gara shpejtësie në Gjakovë. Ndaj drejtuesit me patentë shofer kosovar është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe masë mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjeteve motorike për 12 muaj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa ndaj drejtuesit me patentë shofer të huaj është shqiptuar gjobë prej 1000 euro (pasi që me kërkesën e tij, gjoba është dyfishuar).
• Në rastin e dytë në fshatin Llazicë-Malishevë, një drejtues automjeti është ndaluar duke ngarë veturën me shpejtësi 195 km/h në zonën ku kufizimi është 60 km/h. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro dhe masë mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjeteve motorike për 6 muaj në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë apelon tek të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në sigurinë e trafikut rrugor dhe respektimin rregullave të trafikut.