Tentimi për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës mbeti i papërfunduar të enjten, pasi seanca u ndërpre në momentin kur duhej të zgjidhej kryetari i Kuvendit. Megjithëse deputetët arritën të verifikojnë mandatet dhe të japin betimin, procesi u pezullua me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve politike rreth arritjes së një marrëveshjeje për presidentin e ardhshëm.
Në fillim të seancës u formua komisioni për verifikimin e mandateve, i cili pas një pauze mbi 30-minutëshe konfirmoi mandatet e 120 deputetëve të zgjedhur. Më pas deputetët, përfshirë ata të Listës Serbe, bënë betimin, duke përmbushur dy pikat e para të rendit të ditës.
Kur pritej që Vetëvendosje të propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit, Kurti kërkoi nga kryesuesi Avni Dehari ndërprerjen e seancës. Ai argumentoi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për presidentin do ta çonte vendin drejt një krize të re institucionale dhe zgjedhjeve të tjera të parakohshme. Dehari e pranoi kërkesën dhe ndërpreu punimet e seancës.
Pas ndërprerjes, Kurti deklaroi se synimi është t’u jepet hapësirë negociatave me partitë parlamentare për të arritur një marrëveshje politike, duke theksuar se vetëm kështu mund të shmanget një tjetër cikël zgjedhor. Ai njoftoi se do të vazhdojë bisedimet me LDK-në, PDK-në dhe AAK-në, duke insistuar se Kosovës i duhet një president jopartiak.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se dialogu me Vetëvendosjen po vazhdon dhe se ka afrime në disa çështje, por jo ende në atë që ai e cilësoi si nyjën kryesore – zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, të dyja palët janë të interesuara të shmangin zgjedhjet e reja, ndërsa negociatat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Vendimi për ndërprerjen e seancës u kundërshtua ashpër nga opozita. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi atë si abuzim me pozitën e kryesuesit të Kuvendit dhe tha se Kosova po mbetet në vakum institucional për shkak të mungesës së seriozitetit të shumicës. Ai përsëriti se PDK-ja do të mbetet në opozitë dhe nuk sheh arsye për takime pa rezultate konkrete.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kritikoi vendimin, duke e akuzuar Kurtin se po kërkon të fitojë kohë për pazare politike. Deputeti Besnik Tahiri tha se çështja e presidentit është neglizhuar deri tani dhe se ndërprerja e seancës nuk ishte e justifikuar.
Reagime pati edhe nga shoqëria civile. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësoi se seanca konstituive nuk mund të shfrytëzohet për negociata politike dhe se zgjedhja e presidentit nuk mund të vendoset si kusht për konstituimin e Kuvendit. IKD kërkoi vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e procesit brenda afatit kushtetues.
Në të njëjtën linjë ishte edhe hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, i cili theksoi se ndërprerja e seancës nuk e pezullon afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Sipas tij, procedura për zgjedhjen e presidentit mund të nisë vetëm pasi Kuvendi të konstituohet plotësisht.
Seanca u ndërpre te pika e tretë e rendit të ditës, ajo për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa pa u përfunduar edhe zgjedhja e pesë nënkryetarëve, legjislatura e 11-të mbetet ende e pakonstituuar. Në ditët në vijim pritet të vazhdojnë negociatat mes partive politike për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte funksionalizimin e institucioneve./express