Europol: Ballkani Perëndimor mbetet nyje kyçe e krimit të organizuar në Evropë
Sinjalet e dhëna se mund të ketë marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, mund t’i japin fund edhe krizës institucionale 18 mujore, sipas njohësve të proceseve politike.
Në javën e parë të janarit 2025, u shpërnda legjislatura VIII e Kuvendit, për t’i lënë rrugë zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Rezultati që prodhoi ky proces elektoral, nuk e la mundësinë që ndonjë nga partitë të qeverisë e vetme.
Seanca konstituive nisi më 15 prill, e u deshën plot 133 ditë që të përfundoi – në fund të gushtit.
Propozimi i Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit nuk gjente mbështetje të së paku 61 deputetëve. Partisë së parë, me 48 mandate, nuk i mjaftonin vetëm votat e komuniteteve pakicë për të arritur shumicën.
Megjithatë, sipas analistit Basri Muja, kjo krizë ishte shpërfaqje e një defekti në politikën kosovare.
“Mendoj që ata ishin vetëm tema të debatit, nëse mund të them kështu. Në fakt, kriza ishte më shumë rezultat i kulturës tonë politike, mungesës së kompromisit dhe gjithsesi i përplasjes për ndarjen e pushtetit”, tha Muja.
Zgjidhje, krizës i dha vota e Partisë Demokratike për Dimal Bashën e LVV-së për kryeparlamentar.
Me kushtetutë, propozimi për kryetarin e kuvendit i takon partisë së parë, e PDK-ja pati deklaruar se nuk ka votë për ata që mbanin pozita në qeverinë Kurti 2.
Por pavarësisht tejkalimit të përkohshëm të këtij ngërçi, deputetët e Legjislaturës IX nuk arritën të zgjidhnin qeverinë, pavarësisht dy tentimeve.
Për pasojë, zgjedhjet e reja, të jashtëzakonshme, u caktuan për datën 28 dhjetor.
Kosova përmbylli vitin me vetëm 1 javë me qeveri, kuvend e president mandatplotë.
Fundviti i 2025-tës rezultoi i suksesshëm për Vetëvendosjen. Në zgjedhje mori më shumë se gjysmën e votave, me çka edhe u shmang detyrimi për t’u marrë vesh me të tjerët.
Kuvendi dhe Qeveria u formuan më 11 shkurt të këtij viti. Albin Kurti kryeministër, Albulena Haxhiu kryekuvendare. Por mandati i presidentes Vjosa Osmani po shënonte muajt e fundit.
Deputetët dështuan ta zgjedhin pasuesin e Osmanit dhe me 29 prill u shpërnda kuvendi. Gjatë kësaj kohe, institucionet me mandat të plotë punuan më pak se 3 muaj.
Zgjedhjet e treta radhazi brenda një viti e gjysmë u caktuan me 7 qershor. Ciklet e përsëritura zgjedhore e kanë dëmtuar vendin, sipas gazetarit Fitim Gashi.
“Kriza e zgjatur institucionale i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme vendit, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por po ashtu edhe në atë të jashtëm, veçanërisht në proceset integruese, e ku dihet që së fundi Kosova humbi edhe miliona euro nga Bashkimi Evropian si pasojë e mungesës së institucioneve funksionale”, tha Gashi.
Më 6 gusht është caktuar të mbahet seanca konstituive e kuvendit. Nëse zgjidhet kryetari dhe 5 nënkryetarët e institucionit, deputetët kanë 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri. Në të kundërt vendi shkon në zgjedhje, sërish.