Me një sërë aktivitetesh Kosova do të shënojë 148-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 27-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Agjenda përfshin homazhe, ekspozita, koncerte festive dhe veprimtari shkencore në nderim të figurave dhe ngjarjeve që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë kombëtare.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka publikuar agjendën zyrtare të aktiviteteve për shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, të cilat do të organizohen gjatë muajit qershor.
Aktivitetet nisin sot me shënimin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ceremonia do të mbahet në orën 17:00 në hapësirat e kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Prizren.
Programi qendror do të zhvillohet më 12 qershor, ditën e Çlirimit të Kosovës. Homazhet do të fillojnë në orën 09:00 në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për të vazhduar më pas te varri i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, varri i veprimtarit Adem Demaçi, te varrezat e dëshmorëve dhe te monumenti i heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Në kuadër të aktiviteteve, në orën 16:00 do të hapet ekspozita fotografike “KFOR and Kosova 25+” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Po atë ditë, në orën 18:00, do të organizohet pritja shtetërore, ndërsa në orën 19:00 në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë do të mbahet koncerti festiv “Liria na Bashkon”.
Në koncert do të marrin pjesë:
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” i Republikës së Kosovës;
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore i Republikës së Shqipërisë;
Ansambli Nacional i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, më 25 qershor, në orën 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, do të mbahet ligjërata përkujtimore kushtuar akademikut Rexhep Qosja, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij, me temën “Fjalim për njeriun e fjalës”.
Përmes këtyre aktiviteteve, institucionet e Kosovës synojnë të nderojnë ngjarjet dhe personalitetet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare dhe në rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe shtetndërtimit. /RTKLive
