KQZ shpërndau materialet zgjedhore për zgjedhjet e nesërme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se gjatë orëve të para të ditës së sotme është bërë edhe shpërndarja e materialeve zgjedhore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se nën përcjelljen e policisë, materialet janë dërguar në qendrat komunale, ndërsa gjatë ditës së diel do të shpërndahen nëpër qendrat e votimit.

Në mesin e materialeve të shpërndara janë edhe fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat, të cilat vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit dhe të dielën, para votimit, do të dërgohen në Qendra të Votimit. 

Shpërndarja e materialeve zgjedhore është bërë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës dhe ruajtja e tyre në këto qendra do të bëhet po ashtu nga zyrtarët policorë. 

Sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Prej tyre, 1 milion e 605 mijë janë të destinuara për votimin në vendvotimet e rregullta, 19 mijë e 450 për votimin me kusht, 13 mijë e 500 fletëvotime rezervë, si dhe 3 mijë e 500 për votimin e personave me nevoja të veçanta. 

KQZ njoftoi se edhe në këto zgjedhje numri i fletëvotimeve të shtypura është më i ulët se numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote dhe kjo praktikë bazohet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e kaluara zgjedhore. 

Gjatë ditëve të kaluara, në të 38 komunat e Kosovës janë shpërndarë materialet tjera zgjedhore, përfshirë kutitë dhe kabinat e votimit, si dhe materialet e tjera përcjellëse. Po ashtu, janë transportuar pajisjet e teknologjisë informative, duke përfshirë kamerat për vendvotime, kompjuterët, monitorët dhe pajisje të tjera mbështetëse. Gjithashtu, janë pranuar dhe kontrolluar të gjitha format dhe formularët zgjedhorë, ndërkaq, materialet e ndjeshme zgjedhore, si fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve, vulat dhe materialet e tjera përkatëse, do të shpërndahen në komunat e Kosovës më 6 qershor, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. /Koha.net/
 

Read Previous

Gjermania refuzon kërkesën e BE-së për heqjen e kontrolleve të brendshme kufitare

Read Next

Policia shqiptoi mbi 2100 gjoba trafiku në 24 orët e fundit