Dy kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, pritet që të martën të qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Kosovë, gjatë së cilës do të takohen me krerët e shtetit.
Vizita e tyre do të vijë pas asaj në Serbi, ku ata do të vizitojnë edhe Luginën e Preshevës. Ndërsa të dielën, Self dhe Subramanyam qëndruan në Sarajevë, ku u takuan me përfaqësuesit e presidencës së Bosnjes dhe Hercegovinës.
Në janar të këtij viti, anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratuan një projektligj që i kërkonte Sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Gjatë javës së kaluar, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, në mesin e të cilëve ishte edhe Self.
Ndërsa në fund të muajit prill, disa kongresistë amerikanë propozuan një rezolutë që synon të shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.
Përveç kësaj, është prezantuar edhe një rezolutë tjetër nga të njëjtit kongresistë, në të cilën kërkohet mbështetja për praninë e trupave amerikane në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Në dokumentin e dorëzuar theksohet rëndësia e vazhdueshme e pranisë së KFOR-it në Kosovë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke argumentuar se tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten ende të pazgjidhura dhe se situata e sigurisë kërkon angazhim të vazhdueshëm ndërkombëtar. /Albanianpost.com