Humbjet ndaj Shqipërisë dhe Sllovakisë alarmojnë basketbollin kosovar, kërkohen ndryshime
Procesi i vlerësimit të progresit të Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit me Bashkimi Evropian do të jetë sërish në fokus këtë 12 maj në Bruksel, ku shtetet anëtare do të diskutojnë harmonizimin e qëndrimeve të tyre mbi ecurinë e vendit.
Sipas një dokumenti zyrtar të Këshillit të BE-së, Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet që negociojnë anëtarësimin (COELA) do të zhvillojë një “shkëmbim pikëpamjesh” mbi draft-pozicionin e përbashkët të përkohshëm për Shqipërinë.
Pika e diskutimit lidhet me draftin e pozicionit të BE-së, i cili bazohet në Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR), që analizon progresin e Shqipërisë në Grupkapitullin 1 “Themeloret”.
Ky grupkapitull përfshin fusha kyçe si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, funksionimi i institucioneve të drejtësisë dhe liria e medias.
Diskutimet në nivel politik mes shteteve anëtare tregojnë se procesi ka kaluar nga faza teknike në një etapë më të ndjeshme politike, ku vendet e BE-së po koordinojnë qëndrimet e tyre mbi ecurinë e Shqipërisë.
Megjithatë, termi “shkëmbim pikëpamjesh” tregon se ende nuk është arritur një konsensus i plotë dhe se nuk ka vendimmarrje përfundimtare mbi draft-pozicionin.
Burime evropiane theksojnë se kjo fazë e procesit është pjesë normale e metodologjisë së zgjerimit të BE-së, ku çdo hap kërkon dakordësi mes të gjitha shteteve anëtare.
Sipas tyre, edhe vonesat apo mungesa e zhvillimeve të menjëhershme janë të zakonshme, pasi Grupi i Punës trajton paralelisht të gjitha vendet kandidate.
Shqyrtimi i IBAR-it për Grupkapitullin “Themeloret” mbetet një nga fazat më të rëndësishme të procesit të negociatave, duke ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e mëtejshëm të integrimit evropian të Shqipërisë. /Albanianpost.com