Punëtorët e transportit publik në Prishtinë edhe po protestojnë, ndërsa kërkesa e tyre mbetet ekzekutimi i pagave, në mënyrë që të kthehen në punë.
Ilmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të Trafikut Urban ka thënë se nëse nuk barten mjetet, protesta do të vazhdojë dhe situata siç tha Gashi “vetëm do të përshkallëzohet”.
“Protesta po vazhdon me avazin e vjetër sikurse dje, por deri në momentin që nuk alokohen mjetet për të shlyer borxhin Komuna ndaj “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë një gjë e tillë nuk do të ndërpritet vetëm sa do të radikalizohet situata dhe gjërat tjera në ditët në vijim.
Sipas informatave jozyrtare siç janë dalë nëpër media që Ministria ka alokuar mjetet Komunës, Komuna del dhe thotë se paratë nuk kanë ardhë. Ne kemi mbetur andej, këndej, top i vërtetë i ping pongut që po na nxjerrin. Në këto temperatura të ftohta për hir të qytetarëve që po vuajnë për transport, për hir të tyre këta duhet të reflektojnë dhe nëse ndodhë një gjë e tillë ne do t’i kthehemi punës së rregullt në momentin që është shlyrë borxhi në të kundërtën, nëse nuk alokohen mjetet situata vetëm do të radikalozohet. Urojmë që kjo të ndodhë ditën e sotme, mbesim me shpresë që arsyeja të mbizotërojë edhe te Komuna dhe te Ministria”, tha ai para mediave.
“Por ne do të fillojmë me radikalizmin e veprimeve dhe do të bllokojmë gjithë qytetin, me gjithë autobusët do të dalim. Pavarësisht asaj që mund të bëjmë shkelje e nuk na lejohet nga organet e rendit, por do ta marrim përgjegjësinë dhe pa pëlqimin e askujt do ta bllokojmë qytetin”, deklaroi Gashi.
Komuna e Prishtinës në një komunikatë, ka bërë të ditur se deri më 2 dhjetor, Ministria e Financave ende nuk i ka transferuar fondet.
Sipas njoftimit, qytetarët do të informohen menjëherë sapo mjetet të alokohen në buxhetin komunal. /Reporteri.net/