Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Graçanicë, Pejë dhe Gjakovë.

Në rastin e parë në Prishtinë, një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Prishtinë  17.11.2025 – 07:25. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës -bashkëshortes së tij. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Kurse, në rastin e dytë në Prishtinë raportohet se një burrë ka marrë dy vajzat e mitura për vizitë, e më pas dyshohet se i ka sulmuar. I dyshuari gjendet në arrati.

“Prishtinë 21.09.2025. Është raportuar se me datën e cekur, ish-bashkëshorti ka marrë dy vajzat e mitura për vizitë dhe meqë vajzat nuk kanë dashur të kalojnë natën tek i dyshuari, dyshohet se i kishte sulmuar fizikisht. Lidhur me rastin, është informuar edhe QPS-ja, ndërsa nuk dihet për vendndodhjen e të dyshuarit. Është informuar prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në njoftim.

Kurse, në Graçanicë një person është arrestuar pasi dyshohet se në gjendje të dehur kishte ushtruar dhunë psikike ndaj babait dhe anëtarëve tjerë të familjes.

“Graçanicë 17.11.2025 – 16:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur kishte ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij viktimës mashkull kosovar dhe anëtarëve të tjerë të familjes. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor pasi që ishte i shqetësuar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Në Pejë janë raportuar dy raste të dhunës në familje. Në rastin e parë një person është arrestuar nën dyshimin se ka ofenduar ish-bashkëshorten.

“Pejë 17.11.2025 – 15:36. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte ofenduar ish bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Kurse, në rastin e dytë në Pejë një person është arrestuar pasi ka kanosur gruan me të cilën bashkëjetonte.

“Pejë  17.11.2025 – 16:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte kanosur viktimën femër kosovare, me të cilën ishte duke bashkëjetuar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

 Edhe në Gjakovë, një person është arrestuar pasi dyshohet se ushtroi dhunë psikike ndaj vajzës së mitur dhe e ka dëbuar nga shtëpia.

“Gjakovë  16.11.2025 – 15:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj -vajzës së tij të mitur dhe i ka dëbuar nga shtëpia. I dyshuari është intervistuar dhe është penduar për sjelljet ndaj vajzës dhe ka kërkuar që e njëjta të kthehet në shtëpi. Viktima është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Von der Leyen: Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor kanë shpresë reale për BE

Read Next

A janë në rrezik gjigantët e teknologjisë me rritjen e vlerës së industrisë së AI?