Jahjaga i kërkon Obamas angazhim në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë

Ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka njoftuar se ka takuar ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Barack Obama. 

Ajo ka theksuar se gjatë takimi i ka kërkuar Obamas që të vazhdojë angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, të cilat sipas Jahjagës, janë sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik së fundmi.

Ajo ka njoftuar se takimi është zhvilluar në margjinat e samitit samitit global në Erie, Pensilvani, ku ajo ka thënë se ka marrë pjesë pas ftesës së The Jefferson Educational Society dhe ka folur për adresimin e pasojave të luftës gjatë mandatit si presidente e Kosovës. 

“Në margjinat e samitit, pata nderin të takoj Presidentin Barack Obama, të cilin e falënderova për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës gjatë mandatit tim, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit tonë. Kërkova nga Presidenti Obama angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA dhe Kosovës, të cilat janë sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik së fundmi. Kërkova edhe ndihmën dhe përkrahjen e zotit Obama në konsolidimin e shtetësisë tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Ajo ka thënë se Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan. “Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues”, ka shkruar Jahjaga.

Read Previous

Gati 1 milion njerëz në rrugë, Franca përgatitet për trazira në protestën e sotme

Read Next

Ja sa do të rriten pagat e pensionet në Shqipëri