Një shqiptar në mesin e sanksioneve britanike për trafikim migrantësh

Mbretëria e Bashkuar ka futur nën sanksione njëzet individë dhe katër grupe të përfshirë në trafikimin e migrantëve përmes rrugëve ilegale. Mes të sanksionuarve është edhe një shtetas shqiptar, Bledar Lala, i cili është identifikuar si drejtues i një grupi kriminal në Belgjikë, që ndihmon migrantët të kalojnë Kanalin e La Manshit.

Kjo është hera e parë që Mbretëria e Bashkuar përdor regjimin e ri të sanksioneve për të goditur rrjetet ndërkombëtare të migrimit të paligjshëm. E përveç shtetasit shqiptar, janë sanksionuar edhe grupe të njohura kriminale nga rajoni Ballkaniit Perëndimor.

Në listën e sanksioneve britanike janë dy grupe kriminale nga Mali i Zi – Kavaç dhe Shkalari – të cilët kontrabandojnë kriminelë nga Ballkani Perëndimor në Turqi. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka sanksionuar edhe Alen Basil, ish-përkthyes policor, i cili, sipas raportimeve, drejton një rrjet të madh të trafikimit të migrantëve në Serbi.

E sanksione janë vendosur edhe ndaj Mohammed Tetwani, të cilin autoritetet britanike e përshkruajnë si “mbret të Horgoshit” për shkak të mënyrës brutale përmes së cilës menaxhon një kamp migrantësh në qytetin Horgosh pranë kufirit me Hungarinë. /Albanianpost.com

Read Previous

Kosova Cyber Team përfaqëson vendin në garën më të madhe evropiane të sigurisë kibernetike

Read Next

Prishtina, Egnatia, Vllaznia, Dinamo dhe Deçiçi luajnë sonte në Ligën e Konferencës