Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj zyrtarit doganor I.K., i cili dyshohet se ka lejuar hyrjen në Kosovë të një furgoni me mallra të padeklaruara, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej mbi 3,400 euro.
“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.1 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 16 korrik 2025 në pikën kufitare në Vërmicë, I.K., në kundërshtim me obligimet ligjore, nuk e ka ndalur për kontroll automjetin që drejtohej nga A.K., të cilit i kishte dhënë leje të kalojë pa e hapur bagazhin.
Megjithëse e regjistroi në sistem si automjet të zbrazët, më pas furgoni u ndalua nga njësitë anti-kontrabandë në rrugën për Prizren dhe u zbulua se ishte i ngarkuar me mallra komerciale (këpucë sportive) në vlerë mbi 11,000 euro, të cilat nuk ishin deklaruar.
I dyshuari ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës. Prokuroria ka theksuar përkushtimin e saj për ndjekjen e veprimeve që dëmtojnë rendin ligjor dhe buxhetin publik./Albanianpost.com