Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se ka rikonfirmuar gatishmërinë e PDK-së për gjetjen e një zgjidhjeje.
Krasniqi gjithashtu u shpreh se shpreson që edhe këto konsulta të jenë në funksion të gjetjen së rrugëdaljes.
“Edhe në këtë takim rikonfirmova qëndrimin dhe gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të luajtur rolin tonë në gjetjen e një zgjidhje të krizës politike, sidomos tani që kemi edhe qartësi nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka bërë të qartë rolet e secilit, në radhë të parë të koalicionit që ka dalur i pari në zgjedhje, të cilin e ka detyruar përveç tjerash edhe për gjetjen e kompromisit”.
“Unë shpresoj që edhe këto konsulta të jenë në funksion të gjetjen së rrugëdaljes, por mbetet që takimet e tjera të cilat i ka planifikuar presidentja të na qartësojnë se a ka apo s’ka një ndryshim të kryeneçësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të z.Kurti që po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, u shpreh ai.
Krasniqi gjithashtu theksoi se Partia Demokratike e Kosovës e ka gati lëndën për shkeljet e qëllimshme kushtetuese të dy seancave të kaluara.
“Partia Demokratike e Kosovës tashmë e ka lëndën gati për shkeljet Kushtetuese të cilat janë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme në dy seancat e kaluara që mund të ndodh përsëri nesër nëse nuk ndërron qasja e kryesuesit të seancës dhe grupit më të madh parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh Krasniqi. /Klankosova.tv/