Në momente si ky, me temperatura tejet të larta dhe të rrezikshme në disa vende europiane, nevoja urgjente për t’u përshtatur me një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme është më e qartë se kurrë, shkruan The Guardian në një qëndrim mbi motin.
A mund të ndihmojë vala aktuale e të nxehtit për ta rikthyer vëmendjen ndaj problemit? Portugalia dhe Spanja regjistruan temperatura rekord gjatë fundjavës, me mbi 46°C. Këtë javë, shkencëtarë të mbledhur në një konferencë në Exeter po diskutojnë për “pikëthyerjet klimatike”. Ky term përdoret zakonisht për ta përshkruar kapërcimin e kufijve të rrezikshëm – si shkrirja e shtresave të mëdha të akullit – pas të cilave parandalimi i katastrofës bëhet shumë më i vështirë. Por profesori Timothy Lenton vëren se ky koncept mund të kuptohet edhe në mënyrë pozitive. Dy shembuj janë përhapja gjithnjë më e shpejtë e energjisë diellore dhe automjeteve elektrike.
Përveç mbështetjes që duhet t’u jepet njerëzve për ta përballuar të nxehtin dhe nxitjes së përshtatjes në fusha të ndryshme (për shembull, në ndërtim dhe urbanistikë), liderët europianë duhet ta përdorin këtë situatë për t’ia kujtuar publikut sa shumë rrezikohet dhe për ta forcuar rëndësinë e objektivave ambicioze, por të realizueshme.
Paaftësia për të vepruar nga dëshpërimi për klimën është e rrezikshme, por ankthi që lind nga ndërgjegjësimi për rreziqet mund të shfrytëzohet për mirë. Krahas së qenit një problem për t’u menaxhuar, vala e të nxehtit mund të shihet si një moment për të nxitur ndërgjegjësimin – një rast kur publiku bëhet më i hapur ndaj domosdoshmërisë urgjente për ndryshim.