Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një rregull të ri që prek të gjithë të rinjtë që synojnë të studiojnë apo të marrin pjesë në programe shkëmbimi në SHBA.
Sipas udhëzimeve të reja, të gjithë aplikantët për viza jo-emigruese të kategorive F, M dhe J (studentë, pjesëmarrës në shkolla profesionale dhe programe shkëmbimi kulturor), do të duhet të ndryshojnë cilësimet e privatësisë në rrjetet e tyre sociale në “publike”.
Ky veprim, sipas autoriteteve amerikane, është pjesë e një procesi të ri verifikimi dhe kontrolli të sigurisë kombëtare, për të identifikuar çdo individ që mund të paraqesë rrezik për Shtetet e Bashkuara.
“Çdo vendim për vizë është një vendim i sigurisë kombëtare. Duhet të jemi vigjilentë që ata që hyjnë në vendin tonë të mos përbëjnë kërcënim për qytetarët tanë dhe interesat kombëtare”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Në thelb, kjo do të thotë se studentët dhe të rinjtë që aplikojnë për të studiuar në SHBA, do të duhet të sigurojnë që profilet e tyre në rrjete sociale si Facebook, Instagram, TikTok apo X të jenë të aksesueshme për stafin e ambasadës gjatë procesit të intervistës.
“Shtetet e Bashkuara duhet të jenë vigjilente gjatë procesit të lëshimit të vizave për të siguruar që ata që aplikojnë për pranim në Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të dëmtojnë amerikanët dhe interesat tona kombëtare, dhe që të gjithë aplikantët të vërtetojnë në mënyrë të besueshme të drejtën e tyre për vizën e kërkuar, duke përfshirë edhe qëllimin e tyre për t’u angazhuar në aktivitete në përputhje me kushtet e pranimit të tyre”, thuhet në njoftim. /Albanianpost.com