Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, udhëton sot për në Tiranë, ku do të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Takimi, i organizuar nga Shqipëria si kryesuese e radhës e SEECP, mbahet me ftesë të Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.
Kosova përfaqësohet nga ministrja në detyrë, Donuka Gërvalla Schwarz.
Sipas njoftimit të Ministrisë, temë kryesore e takimit do të jetë “Fuqizimi i Konkurrencës Rajonale dhe rritja gjithëpërfshirëse, si rruga drejt Integrimit në BE për vendet pjesëmarrëse të SEECP-së që aspirojnë anëtarësimin”.
Takimi sipas njoftimit, pritet të shërbejë si mundësi për të thelluar diskutimet rreth zhvillimit ekonomik, rritjes së konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
“Pjesëmarrja e Gërvallës, si kryediplomate e Kosovësnë detyrë, thekson përkushtimin e vendit për bashkëpunimin rajonal, paqen, stabilitetin, sigurinë dhe përparimin e përbashkët të Evropës Juglindore”, thuhet në njoftimin e ministrisë./reporteri/