Në hyrjen kryesore të objektit të Kuvendit të Kosovës, avokati Arianit Koci ka vendosur në mënyrë simbolike një shirit të kuq. Ai ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të qëndrojnë brenda parlamentit deri në zgjidhjen e bllokadës institucionale.
Para gazetarëve, Koci tha se deputetët po i shkelin obligimet ndaj qytetarëve, por theksoi se mund të ketë edhe “elemente të korrupsionit pasiv dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
“Simbolikisht e mbylla derën e Kuvendit, kam kërkuar nga të gjithë deputetët që i kam takuar sot, të qëndrojnë në ndërtesë derisa ta arrijnë një marrëveshje politike, çfarëdo qoftë ajo, nuk kam asnjë anim politik, thjesht po dua të fillojë dhe të funksionojë kuvendi. Këtë e kanë obligim, përndryshe me këtë formë, kjo është e 27-ta herë dhe paraprakisht e dimë që edhe sot s’kanë me u marrë vesh, këta potencialisht jo vetëm që po i shkelin obligimet që i kanë ndaj neve qytetarëve, por potencialisht po kryejnë edhe vepër penale, mund të ketë edhe elemente të korrupsionit pasiv nëse vërtetohet se ky bllokim është pjesë e pazareve politike. Po e simulojnë që po punojnë, e në fakt nuk po punojnë. Këto janë krejt elemente të veprës penale, të mashtrimit, edhe potencialisht mund të jetë edhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. Kjo është katastrofë çfarë po ndodhë”, tha Koci.
Konstituimi i kuvendit dështoi edhe sot në përpjekjen e njëzet e shtatë. Deputetët do të mblidhen sërish me datën 7 qershor. /KosovaPress/