Jose Mourinho kritikon sërish ligën turke dhe mediat

Jose Mourinho ndërmori një tjetër goditje brutale ndaj Superligës Turke dhe shtypit vendas pasi skuadra e tij Fenerbahce humbi ndaj Hatayspor-it, e cila tashmë kishte rënë nga kategoria.

Fenerbahçe pësoi një humbje 4-2 jashtë fushe të hënën dhe tani është nëntë pikë prapa fituesve të titullit, Galatasaray-t, me një ndeshje të mbetur.

Një Mourinho sfidues, i cili shpesh e ka nënvlerësuar ligën që kur iu bashkua Fenerbahçe-s verën e kaluar, sulmoi ashpër gazetarët pas ndeshjes, duke u mburrur me suksesin e tij kontinental krahasuar me klubet turke.

Trajneri portugez tha: “Në shtatë vitet e fundit, kam luajtur në dy finale evropiane. Pra, në shtatë vitet e fundit kam luajtur më shumë finale evropiane sesa historia e futbollit turk së bashku”.

Galatasaray është i vetmi klub turk që ka marrë pjesë në një finale evropiane, duke mposhtur Arsenal-in për të fituar Kupën UEFA në vitin 2000.

Ndërkohë, Mourinho ka fituar gjashtë tituj evropianë. Fitorja e tij e fundit ishte Europa Conference League me Roma-n në vitin 2022 në Tiranë dhe ai e ngriti Europa League me Manchester United-in në vitin 2017.

62-vjeçari gjithashtu mbrojti rezultatet e tij pas një sezoni ku Fenerbahce përfundoi i dyti për të katërtin vit radhazi.

“Lidhur me rezultatet, vetëm njerëzit që nuk e kuptojnë se çfarë është futbolli, nuk e kuptojnë se çfarë është fundi i sezonit (na kritikojnë)”, tha portugezi.

“Fundi i sezonit është i dhimbshëm për ekipet që nuk kanë një objektiv. Për njerëzit që luftojnë për titullin e Evropës, për rënien nga kategoria, motivimi zhduket çdo ditë. Për njerëzit që humbasin objektivat, është e dhimbshme”.

Ai shtoi: “Patëm një verë të vështirë për shkak të lojtarëve që vinin nga Kampionati Evropian dhe që vinin shumë vonë për përgatitje”.

Dy javë më parë, Mourinho dha një përgjigje të zgjuar kur u pyet nga një gazetar në lidhje me ndryshimet e shpeshta në skuadrën e tij.

“Kam 25 monedha, i hedh në ajër”, tha ai, duke ngritur krahët lart në formë pantomimeje.

“Ato që qëndrojnë në tavolinë janë ato që luaj unë. Ato që bien, shkojnë në stol. Unë e bëj kështu”.

“Gjatë javës, po argëtohem. Shkoj në klubet e natës çdo ditë në Stamboll, kudo. Dhe pastaj, kur vjen koha për të zgjedhur ekipin, hedh monedha me fytyrat e lojtarëve”, ironizoi ai.

Ai tashmë e ka përdorur ironinë për të treguar përbuzjen e tij ndaj pyetjeve të gazetarëve këtë sezon.

Pas humbjes 3-1 në mars nga Rangers, Mourinho bëri sikur ra në gjumë në karrigen e tij ndërsa gazetari vazhdonte të fliste pa pushim në turqisht.

“Oh, kjo është shumë për kokën time. Jam i lodhur, vëlla”, tha ai, ndërsa kruante kokën.

“90 minuta për të mos i dëgjuar të gjitha këto, jam shumë i lodhur për këtë”, vijoi Mou.

Sezoni debutues i Mourinho-s është shoqëruar me polemika.

Ai u pezullua me tre ndeshje muajin e kaluar pasi i kapi hundën trajnerit të Galatasaray-t, Okan Buruk.

Ndërsa në shkurt, Mourinho ngriti një padi kundër Galatasaray-t pasi klubi e akuzoi atë për deklarata raciste.

Në nëntor pati një rrëmujë të pabesueshme pas fitores 3-2 të ekipit të tij si mysafir ndaj Trabzonspor-it.

Mourinho nuk u përmbajt dhe deklaroi me guxim: “Askush jashtë vendit nuk dëshiron të shikojë ligën turke”.

“Kush dëshiron ta shikojë këtë ligë turke jashtë vendit? Ata kanë Premier League, kanë ligën franceze, kanë ligën gjermane, kanë ligën portugeze, kanë ligën holandeze. Pse duhet ta shohin këtë?”.

“Është shumë gri. Është shumë e errët, mban erë të keqe. Por kjo është puna ime dhe do t’i jap gjithçka punës sime, klubit tim”, theksoi ai.

Pavarësisht se nuk arriti ta fitonte titullin e ligës për të njëmbëdhjetin sezon radhazi, Mourinho ka të ngjarë të qëndrojë, me presidentin e klubit Ali Koc që thotë se “ne duam të vazhdojmë me Jose Mourinho-n për stabilitet”.

Fenerbahçe humbi mundësinë për titull ndaj rivalëve të përbetuar, Galatasaray-t, por është 20 pikë përpara Samsunspor-it të vendit të tretë.

Ata mund të luajnë në Champions League sezonin e ardhshëm, por do të duhet të kalojnë nëpër raundet kualifikuese në verë. /Albanianpost.com

Read Previous

Lajm i mirë për pronarët e automjeteve elektrike në Evropë

Read Next

Ministria e Bujqësisë: Jemi në dispozicion të organeve të drejtësisë