Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi një natë më parë në një darkë pune përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas t cilët diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane dhe Planin e Rritjes.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Kurti e falënderoi për vizitën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“Kryeministri theksoi se vendi ynë, krahas linjëzimit të politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, ka bërë progres të konsiderueshëm në reforma të brendshme, dhe se kjo evidentohet dhe dëshmohet edhe në raportet e vendit të BE-së. Kryeministri e falënderoi Kallas për njoftimin se BE ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim, teksa shtoi se ato duhet të hiqen plotësisht dhe theksoi që Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se gjatë darkës së shtruar nga kryeministri u diskutua edhe për procesin pas-zgjedhor në vend dhe angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë.
“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Ndërkohë që rikujtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë dhe se kryeterroristi Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës”.
Gjithashtu në njoftim bëhet e ditur se Kurti ngriti çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë dhe kërkoi që BE të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të luginës. /Telegrafi/