Protestë para kuvendit e organizatave për mbrojtjen e fëmijëve

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, sot do të protestojë para Kuvendit të Kosovës me moton: “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”.

Protesta mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova”, para Kuvendit të Kosovës, duke filluar nga ora 10:45 dhe do të zgjasë deri në orën 11:00, kur pritet të fillojë vazhdimi i 20-të i seancës konstituive.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është të nxisë reflektim dhe përgjegjësi institucionale të deputetëve ndaj realitetit të vështirë me të cilin përballen shumë fëmijë në Kosovë dhe nevojave të fëmijëve. Si pasojë e kësaj bllokade, shumë politika që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe jetën e fëmijëve vazhdojnë të mbesin të pa miratuara.

KOMF-i kërkon që deputetët të reflektojnë mbi peshën e përgjegjësisë së tyre. KOMF-i konsideron që deputetët duhet të marrin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe ligjore për të vepruar urgjentisht për garantimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Çdo vendim që dështojnë apo vonojnë ta marrin për fëmijët, është një barrë që e paguajnë fëmijët me shëndetin, mirëqenien dhe shpesh jetën e tyre”, thuhet në njoftimin e Koalicionit të Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF./Indeksonline/

Read Previous

Vendet e G7-tës dakordohen që t’u kundërpërgjigjen praktikave tregtare të Kinës

Read Next

Kurti shtroi darkë pune për Kallas