Krimi zgjedhor, ish-kryebashkiaku Elvis Rroshi në qendër të hetimeve

Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, është vënë në qendër të një operacioni të Policisë së Shtetit, që zhvillohet në kuadër të hetimeve për korrupsion aktiv në zgjedhje. Sipas burimeve zyrtare, Rroshi dyshohet për përfshirje në një skemë të organizuar për ndikim të paligjshëm në votues.

Operacioni u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me BKH-në, në funksion të procedimit penal nr. 82/2025. Kontrolli u ekzekutua me vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, datë 17.05.2025.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në pronësi të Rroshit, u sekuestruan fatura, kupona nafte, lista me emra zgjedhësish, si dhe një telefon celular që dyshohet të përmbajë komunikime të rëndësishme për hetimin.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se dokumentet e sekuestruara mund të jenë përdorur për blerje votash apo për ushtrim presioni mbi zgjedhësit. Hetuesit po analizojnë materialet për të identifikuar rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe mënyrën e funksionimit të skemës së dyshuar.

Përveç Rroshit, u ushtruan kontrolle edhe ndaj katër shtetasve të tjerë: Orges Sinella, Tak Rroshi, Tauland Hasa dhe Mirel Sinella, të cilëve u janë sekuestruar telefona celularë, DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër.

Të pesë shtetasit janë nën hetim për korrupsion aktiv në procesin zgjedhor. Materialet hetimore i janë referuar SPAK-ut, ndërkohë që hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përmasat e këtij aktiviteti të dyshuar kriminal./reporteri/

Read Previous

Rumunët votojnë në balotazhin presidencial “që mund të zgjerojë përçarjet në BE”

Read Next

Gyokeres thyen heshtjen dhe flet për të ardhmen e tij