“Shëndeti mendor përgjegjësi e përbashkët për një komunitet të shëndetshëm”

Shëndeti mendor nuk është çështje individuale, por përgjegjësi e komunitetit. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë me rastin e shënimit të Javës së Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor.

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi theksoi se si ministri e Shëndetësisë kanë punuar për përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me çrregullime mendore.

Bardiqi tha se janë hartuar 7 udhërrëfyes klinikë, është draftuar projektligji për shëndet mendor, si dhe plani strategjik për shëndet mendor 2025-2030.

“Tema e javës së ndërgjegjësimit në këtë vit është komuniteti. Qëllimi është të festohet fuqia dhe rëndësia e komunitetit të qenurit pjesë e një komuniteti të sigurt dhe të pozitiv është jetik për shëndetin dhe mirëqenien tonë mendore. Shëndeti mendor është temë që prek secilin prej nesh nuk është çështje që duhet të mendohet dhe trajtohet si çështje individuale. Shëndeti mendor duhet menduar si një përgjegjësi e komunitetit….Ministria e Shëndetësisë vazhdon të jetë e përkushtuar për përmirësimin e cilësisë së jetës të personave me çrregullime mendore për të zvogëluar stigmën rreth shëndetit mendor ka ndërmarrë të gjitha veprimet për rritjen e rëndësisë së shëndetit mendor për trajtimin e barabartë pa diskriminim të personave me çrregullime mendore në funksion të respektimit të integritetit fizik dhe dinjiteti njerëzor”, tha ai.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci u shpreh se janë duke punuar në profilizimin e kësaj klinike. Ai tha se kjo javë e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor duhet të shfrytëzohet për të luftuar stigmën ndaj personave që vuajnë nga këto probleme.

“Të shfrytëzojmë këtë javë të ndërgjegjësimit që të bëhemi bashkë të luftojmë stigmën sepse nuk ka gjë më të fuqishme se sa komuniteti i cili dëgjon, mbështet dhe nuk paragjykon. Shëndeti mendor nuk është çështje individuale, por është çështje për të gjithë ne…. Kemi punuar që të profilizojmë klinikën, kemi bërë repartin për sëmundjet akute psikotike në repartin e psikiatrisë për fëmijë dhe adoleshentë në shtretër, kemi rritur kapacitetet në repartin për sëmundjet e varësisë dhe tani në drejtimin e MSH është edhe krijuar komisioni që po punon në hartimin e strategjisë së duhur për rritjen e kapaciteteve të mëtejme për repartin e varësisë dhe kjo është në procedurë“, theksoi Kutllovci.

13 maji deri më 19 maj njihet si Java e Ndërgjegjësimit të Shëndetit mendor. /KosovaPress/

Read Previous

BE-ja miraton paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë

Read Next

Osmani: Demokracia në vend është në përparim të vazhdueshëm