Bajrami: Vendimi për rritjen e rrymës i padrejtë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Autoritetin Rregullativ për Energji (ZRRE) pas dorëzimit të kërkesës për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët dhe bizneset.

Sipas saj, vendimi për rritjen e tarifës për 16.1% dhe kalimi i mbi 1.300 bizneseve në tregun e ashtuquajtur të hapur, ku KESCO po ofron çmime mbi 260% më të larta, është i papërballueshëm dhe i padrejtë. Ajo tha se gjatë takimit me ZRRE-në, nuk morën një përgjigje pozitive për shqyrtimin e kërkesës së dorëzuar nga deputetët.

“Biseduam për një orë, gjerë e gjatë. Kishte plot arsyetime, por nuk morëm përgjigje pozitive për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesës. Sipas tyre, një vendim të tillë mund ta shtyjë vetëm Qeveria, kushdo që është duke ushtruar detyrën, sepse bëhet fjalë për 50 milionë euro diferencë në çmim që duhet të subvencionohet nga buxheti i shtetit”, u shpreh Bajrami.

Ajo theksoi se kushtet nuk janë pjekur për aplikimin e sistemit të tregut të hapur në Kosovë, duke argumentuar se konkurrenca mungon dhe se e vetmja ofertë për bizneset ka ardhur nga KESCO.

“Kanë marrë ofertë vetëm nga KESCO, e cila ka ofruar çmim 260% më të lartë. Jemi këtu për të mbrojtur sektorin privat, që është aktori më i madh i punësimit në vend. Ngritja e çmimeve do të sjellë një valë të re inflacioni që do të jetë e papërballueshme për qytetarët”, shtoi ajo. /Albanianpost.com

Read Previous

Ambasadorët e QUINT-it takohen me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti

Read Next

Osmani fton për të enjten në takim liderët e partive politike